Deputeti suedez lobon për liberalizim të vizave për kosovarët, i shkruan pyetje konkrete kryediplomates

Deputeti i parlamentit suedez, Magnus Jacobsson (Kristiandemokrat) i ka parashtruar pyetje të protokolluar Ministres së Jashtme suedeze, Ann Linde në lidhje me mos liberalizimin e vizave për kosovarët.
Jacobsson në pyetjen e parashtruar dje ka dhënë edhe arsyet pse duhet tu mundësohet kosovarëve lëvizja e lirë pa viza, transmeton IndeksOnline.
“Kosova është një vend i vogël në Ballkan, dhe Suedia natyrisht ka një interes të madh për funksionimin e mirë të këtij vendi. Kemi shumë qytetarë që vijnë nga Kosova dhe që sot jetojnë në Suedi. Fatkeqësisht, zhvillimi ekonomik i Kosovës pengohet nga fakti se sot është i vetmi vend i Ballkanit që nuk ka liri të vizave në BE. Do të kishte përfituar biznesi ynë nëse qytetarët tanë me origjinë të dyfishtë do të kishin mundësinë të bëjnë biznes dhe të udhëtojnë në një mënyrë më të lehtë. Gjithashtu kanë të afërm në Kosovë, dhe liria e lëvizjes do të lehtësonte marrëdhëniet”, ka shkruar deputeti Jacobsson, i cili po lobon për liberalizim të vizave për Kosovë.
Sipas tij, ka arsye për të pyetur se si Suedia, brenda kornizës së anëtarësimit në BE, mund të promovoi mundësinë që qytetarët e Kosovës të udhëtojnë në Evropë në të njëjtën mënyrë si qytetarët në vendet e tjera të Ballkanit.
Në fund të letrës deputeti pyet konkretisht Ministren e Jashtëm, Ann Linde: Cilat kushte ekzistojnë që Suedia të shkojë përpara dhe që Kosovës t’i japë lirinë e lëvizjes?/IndeksOnline/