Reagon këshilltari i Vjosa Osmanit pas vendimit të LDK-së për ta shkarkuar atë!

Këshilltari, Faton Peci, i kryekuvendares Vjosa Osmani, ka reaguar pas vendimit të LDK-së që ta shkarkojnë nga postet e Osmani në Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Peci ka thënë se “sot ideja e presidentit Rugova po dhunohet nga ide totalitare që i trishtohen mendimit ndryshe. Kjo tendencë mund ta përfundojë projektin e quajtur LDK dhe kauzën, Liri, Pavarësi, Demokraci”.
Këshilltari i Osmanit ka bërë të ditur se ai do të votoj kundër shkarkimit, pasiqë është kundër diferencimit dhe në mbrojtje të frymës së Rugovës.
Njoftimi:
Edhe 2 orë, deri tek udhëkryqi i madh i LDK-së.
Forca kohezive që e mbajti gjallë LDK-në si partinë e parë anti komuniste ishte presidenti Ibrahim Rugova, i cili kultivoi me devotshmëri frymën e tolerancës dhe respektimit të mendimit ndryshe.
Paradoksalisht, sot ideja e presidentit Rugova po dhunohet nga ide totalitare që i trishtohen mendimit ndryshe. Kjo tendencë mund ta përfundojë projektin e quajtur LDK dhe kauzën, Liri, Pavarësi, Demokraci.
Është në ndërgjegjen e secilit anëtar të LDK-së dhe secilit të përfshirë në struktura drejtuese të vendos se çfarë do të jetë LDK-ja nesër! Një LDK, timoniere dhe bartëse e procesit të konsolidimit të shtetit, apo subjekt që përfundimisht shkëputet nga tradita politike e saj! LDK-ja ka kuptim vetëm si prijetare e demokracisë dhe mendimit ndryshe. Pa këtë atribut, LDK-ja mund të mbetet vetëm e lidhur nyjë dhe në funksion të një grupi të ngushtë, të cilët çdo ditë e më tepër po përfshihen në tendencën e delëdëkizimit! Sot ka nevojë të mbrohet demokracia, të mbrohet LDK-ja dhe të mbrohet konsistenca politike! Sot duhet të mbrohet Kosova, sepse ajo është LDK-ja!
Sot votoj kundër shkarkimit, sepse jam kundër diferencimit dhe në mbrojtje të frymës së Rugovës!