Raportuesja në Parlamentin Evropian: Gjërat mund të ndryshojnë për Kosovën!

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, ka deklaruar se gjëra mund të ndryshojnë në Kosovë.
Duke shpërndarë një lajm në profilin e saj në Twitter me titullin: Gjykata e mbështetur nga Bashkimi Evropian prish planet e SHBA-së për samitin e Kosovës, Von Cramon paralajmëroi ndryshime në Kosovë.
“Gjërat mund të ndryshojnë në Kosovë”, shkroi shkurt ajo.
Kjo pasi tashmë është konfirmuar dështimi i zhvillimit të takimit të 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë nga pala kosovare dhe ajo serbe lidhur me marrëveshjen e paqes midis dy vendeve.
Pas ngritjes së aktakuzës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në drejtim të presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, Thaçi njoftoi dje për anulimin e udhëtimit në Washington, e njësoj veproi sot edhe kryeministri kosovar, Avdullah Hoti.
Hoti njoftoi sot për mos shkuarje në SHBA anipse i dërguari i posaçëm i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell tha dje se pala kosovare do të përfaqësohet nga Avdullah Hoti, në takim me presidentin serb Aleksandar Vuçiq./Indeksonline/