75 Mall Live Search
12:12 / E Premte, 26 Qershor 2020 / indeksADMonline

Bashkëpunim “i pazakontë”, Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe bashkë në luftën ndaj COVID-19

Kryeministri Izraelit Benjamin Netanjahu tha se Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, do të bashkëpunojnë në luftën ndaj virusit COVID-19, një përpjekje konkrete kjo e Izraelit për të normalizuar marrëdhëniet me vendet arabe.

Gjatë një deklarate shtypi, Netanjahu bëri me dije se bashkëpunimi me Emiratet e Bashkuara Arabe në përballimin e krizës së pandemisë COVID-19 ishte i mundur dhe se do të zyrtarizohej nga ministrat e Shëndetësisë të të dyja vendeve.

“Pas pak, ministrat e Shëndetësisë të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Izraelit, do të zyrtarizojnë bashkëpunimin në luftën ndaj COVIDIT-19. Ky bashkëpunim do të vijë në fushën e zhvillimeve teknologjike dhe në ato fusha që do të përmirësojnë sigurinë shëndetësore në të gjithë rajonin.

Këto janë rezultatet e komunikimeve të vazhdueshme gjatë muajve të fundit dhe do të sjellë zhvillime pozitive për të gjithë rajonin. Sa më të larta të jenë qellimet tona, aq më të lehtë do ta kemi të sjellim miqtë tanë më afër njëri-tjetrit”, tha z. Netanjahu.

Ministri i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara nuk ka komentuar ende mbi këtë bashkëpunim, i cili do të vinte në një kohë kur vendet arabe kanë kundërshtuar hapur planet e Izraelit për të aneksuar pjesë të territorit palestinez, një plan i mbikëqyrur dhe miratuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Aktualisht Izraeli nuk ka marrëdhënie diplomatike me vendet arabe në Gjirin Persik, por shqetësimet e përbashkëta mbi influencën në rritje të Iranit kanë sjellë një përmirësim të marrëdhënieve midis këtyre vendeve.