75 Mall Live Search
10:51 / E Shtunë, 27 Qershor 2020 / indeksADMonline

​Shërbime online për fëmijët me aftësi të kufizuar

Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar ka angazhuar ekspertë të cilët ofrojnë seanca psikologjike, edukative dhe terapeutike për të gjithë fëmijët me aftësi të kufizuar. Këtë e ka bërë në bashkëpunim me organizata anëtare dhe synon ndër të tjera të vetdijësojë prindërit në kujdesin nga përhapja e koronavirusit.

Izolimi, i shkaktuar si pasojë e përhapjes së koronavirusit, ka ndikuar mjaft rëndë edhe të personat me aftësi të kufizuar.

Vështirësitë për të zhvilluar aktivitete të ndryshme në izolim ka sjellë probleme emocionale të shumë fëmijë të kësaj kategorie.

Ministria e Arsimit ka krijuar një platformë të mësimit online për personat me nevoja të veçanta, por kryetari i Forumit të Aftësisë së Kufizuar, Bujar Kadriu thotë se e njëjta nuk ishte e qasshme për të gjitha grupet e aftësisë së kufizuar.

“Ministria e Arsimit ka lansuar edhe një platformë për edukimin e fëmijëve me nevoja të veçanta por praktikisht kjo platformë nuk mund të them që ka qenë e qasshme për të gjitha grupet e aftësisë së kufizuar, duke marrë parasysh që kemi grupe të caktuara të aftësisë së kufizuar që për mungesë të qasjes në informacion nuk mund t’i qasen platformave, rast konkret të fëmijët e shurdhër, ata pa një interpret të gjuhës së shenjave e kanë të pamundur qasjen në platformë”, thotë Kadriu.

Tani Forumi i Aftësisë së Kufizuar po bën thirrje që fëmijët t’i bashkohen një programi të cilin e kanë nisur në maj, e që ofron shërbime pa pagesë në këtë kohë të pandemisë.

Ata po synojnë të vetdijësojnë prindërit dhe fëmijët për pasojat e Covid 19 dhe cilat masa duhet ndërmarrë si masë mbrojtëse.

Përmes sistemit online në kuadër të këtij programi do të kenë qasje të gjitha grupet, si personat e shurdhër, të verbër dhe ata me lëndime fizike.

“Çdo fëmijë me aftësi të kufizuar mund t’i merr këto shërbime pa pagesë në mënyrë që ata mos të ngecin në zhvillim si pasojë e Covid 19, dhe ne padyshim që këto shërbime i kemi koordinuar mirë me organizatat tona, me ekspertë të fushës dhe këto kanë filluar prej datës 4 maj dhe do të jenë deri më 31 korrik 2020. Të gjithë ata të interesuar, që kanë nevojë për këto shërbime është jashtëzakonisht e rëndësishme të vizitojnë një nga organizatat tona anëtare apo drejtpërdrejt Forumin për Aftësi të Kufizuar në mënyrë që të përfitojnë nga këto shërbime”, thotë Kadriu.

Ai thotë se çdo fëmijë, pavarësisht zonës ruarale e urbane ku jeton, të ketë mundësi t’i marrë këto shërbime, meqë sipas tii, Covid 19 ka prekur më shumë këta fëmijë.

“Fëmijët përfitojnë shërbime edukative, rehabilituese dhe vetdijësuese lidhur me Covid 19, kur them eduaktive natyrisht që prej ekspertëve të fushës, ata do tē përfitojnë në mënyrën si duhet të qasen, si duhet të jetë jeta në izolim si të adaptohen me izolimin, prindërir e tyre t’i qasen kësaj problematike duke marrë parasysh specifikat që i kanë sidomos fëmijët me lëndime intelektuale, rehabilituese nënkupton që çdo fëmijë me aftësi të kufizuar mund të marrë shërbime lokopedike dhe këto shërbime e zgjojnë interesin e fëmijës dhe përmes këtyre shërbimeve këta fëmijë mos të shkëputen nga shërbime që i kanë marrë deri më 13 mars të këtij viti”, thotë ai.

Kadriu tregon se programi është përgatitur në përputhje me rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

Përmes këtij programi ai thotë se prindërit do të mund të kuptojnë mënyrën si ta parandalojnë përhapjen e Covid 19 të fëmijët e tyre.

Kadriu tregon se do të hartojnë një plan veprimi për në shtator meqë ende nuk dihet si do të vazhdojë mësimi për shkak të pandemisë.

“Izolimi i fëmijët me aftësi të kufizuar ka shkaktuar probleme edhe emocionale edhe të tjera që praktikisht do të shkojë një kohë e gjatë për t’i sanuar. Mendoj që më së shumti ka prekur personat me dëmtime intelektuale, fëmijë, natyrisht që ata fëmijë e kanë të vështirë të ambientohen aty ku jetojnë, ambienti në izolimin që ka ardh si pasojë e Covid 19”, thotë ai.

Ndërkohë bën të ditur se nuk kanë ndonjë informacion që ka persona të prekur me koronavirus e që janë pjesë e shoqatave.

Ofrimi i shërbimeve pa pagesë për fëmijët me aftësi të kufizuar po bëhet në bashkëpunim të ngushtë me organizatat anëtare si Shoqata e të Verbërve të Kosovës, Shoqata Kosovare e të Shurdhërve, Handikep Kosova, Shoqata e Autizmit, Down Syndrome Kosova dhe Klubi “Deshira”.

Në këtë program online janë të angazhuar 34 ekspertë.

Forumi i Aftësisë së Kufizuar në Kosovë në këtë program po bashkëpunon me Ministrinë e Arsimit, UNICEF dhe partnerë të tjerë.

Deri tani janë 1 mijë e 300 fëmijë që janë bërë pjesë e këtij programi, ndërkohë ka kapacitet të mbulojë 4 mijë.