Komuna e Mitrovicës ndalon drekat e darkat zyrtare

Komuna e Mitrovicës ka marrë vendimin për ndalimine drekave e darkave zyrtare të drejtorive komunale. Kjo është bërë e ditur përmes një njoftim për medie të kësaj komune, transmeton IndeksOnline.
Siç bëhet e ditur ky vendim është marrë pas mbledhjes së radhës së Bordit të drejtorëve, meqë rast kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri ka njoftuar për të.
“Ndërsa gjatë këtij takimi kryetari i komunës, Agim Bahtiri, ka marrë vendimin që t’ua ndalojë të gjitha drejtorive komunale shpenzimet për dreka dhe darka zyrtare, me qëllim të kursimit të mjeteve buxhetore, në mënyrë që këto mjete të dedikohen në të mirë të qytetarëve”, bëhet e ditur në komunikatë.
Në këtë takim u diskutua edhe për menaxhimin e hapësirave publike në Mitrovicë, me ç’ rast u kërkua nga Drejtoria e Inspeksionit të marrë të gjitha masat e nevojshme, për largimin e shitësve të cilët operojnë pa leje paraprake nga organet kompetente, nëpër hapësirat e qytetit, konkretisht në sheshe, duke penguar kështu lëvizjen e lirë të qytetarëve.