Etem Arifi sot duhej të paraqitej në burg për të vuajtur dënimin, por bën ankesë në Apel

Deputeti Etem Arifi ,i dënuar muaj më parë me 1 vit e 3 muaj burgim me vendim të formës së prerë për mashtrimin, që kishte bërë me subvencione, sot kishte ditën e fundit për t’u paraqitur në gjykatë e që më pas të fillonte vuajtjen e dënimit.
Mirëpo, Arifi as sot nuk është paraqitur për të vuajtur dënimin,duke ushtruar kështu të drejtën e tij për ankesë në Gjykatën e Apelit.
Këtë për IndeksOnline e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
Ajo ka thënë se tashmë shkresa e Arifit është dërguar në Gjykatën e Apelit.
“Personi në fjalë datën e lajmërimit e ka pasur më 29, çka do të thotë sot, por ai më 23 ka bërë kërkesën për shtyrje, e cila kërkesë i është refuzuar prej kryetares së gjykatës si e pabazuar. Tani ai e ka të drejtën e ankesës dhe shkresa e tij gjendet në Gjykatën e Apelit”, tha Gashi për IndeksOnlinen.
Se si do të veprohet më tej mbetet në dorën e Gjykatës së Apelit.
Deputeti Etem Arifi dhe Bajram Gashi, drejtori i OJQ-së “Zëri i Ashkalinjve”, akuzohen për përvetësim të rreth 26 mijë eurove. Sipas aktakuzës, Arifi e Gashi subvencionet e pranuara nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale për ashkalinj dhe egjiptianë si edhe subvencionet nga Zyra e ministrit për Integrime për festimin e Ditës së Flamurit për komunitetin ashkali nuk i kanë përdorur për qëllime të cilat u ishin dhënë, por i kanë përvetësuar për vete dhe persona të tjerë. /IndeksOnline/