75 Mall Live Search
11:53 / E Martë, 30 Qershor 2020 / indeksADMonline

Prokuroria ngre aktakuza ndaj 92 personave

Prokurori i shtetit ka njoftuar përmes një njoftimi për media se gjatë 24- orëve të fundit janë ngritur 71 aktakuza ndaj 92 personave për kryerjen e veprave të ndryshme penale.

Po ashtu Prokuroria e shtetit ka bërë të ditur se për 24- orët e fundit kanë ndaluar në qëndrim 48 orë 14 persona si edhe ka bërë kërkesa për paraburgimin e katër personave.

Më poshtë e gjeni të plotë raportin:

Prokurori i shtetit njofton se gjatë 24- orëve të fundit nga prokuroritë themelore janë ngritur 71 aktakuza kundër 92 personave për vepra të ndryshme penale.

Me urdhër të Prokurorit të shtetit janë ndaluar për 48 orë, katërmbëdhjetë persona të dyshuar si edhe janë bërë katër kërkesa për caktimin e paraburgimit të katër personave të dyshuar për vepra të ndryshme penale.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, me urdhër të prokurorit kujdestar, ka ndaluar tre persona të dyshuar, po ashtu, kjo prokurori ka paraqitur dy kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit për dy persona të dyshuar, si dhe ka ngritur 27 aktakuza kundër 40 personave për vepra të ndryshme penale.

Prokuroria Themelore e Prizrenit, ka ngritur 22 aktakuza kundër 23 personave për vepra të ndryshme penale, ndërsa Prokuroria Themelore e Pejës ka ndaluar 6 persona të dyshuar, si edhe ka ngritur 8 aktakuza kundër 8 personave për vepra të ndryshme penale.

Prokuroria Themelore e Gjilanit, gjatë 24- orëve të fundit, ka paraqitur një kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj një personi të dyshuar dhe ka ngritur 9 aktakuza kundër 12 personave.

Prokuroria Themelore e Gjakovës, me urdhër të prokurorit kujdestar, ka ndaluar tre persona në kohëzgjatje prej 48- orësh për kryerjen veprave të ndryshme penale, ndërsa ajo në Mitrovicë, gjatë 24- orëve të fundit, ka ngritur tri aktakuza kundër pesë personave.

Prokuroria Themelore e Ferizajt, ka ndaluar dy persona të dyshuar dhe ka paraqitur një kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për një person të dyshuar, si edhe ka ngritur dy aktakuza kundër katër personave për vepra të ndryshme penale.