Xhenisare Këpuska, plot 33 vjet në shërbim të punëkërkuesve, në Kosovë

Blloku i shënimeve i Xhenisare Këpuskës, këshilltare në Zyrën e Punësimit në Gjakovë, mbartë dëshmi pune e përkushtimi ndër vite. Çdo angazhim i përfunduar nënvizohet me të kuqe, si cikël i përmbushur me sukses.
Ajo çfarë asaj i jep më shumë kënaqësi kur shfleton bllokun e shënimeve është krijimi i mundësive për aftësim e punësim për të gjithë punëkërkuesit që ajo i këshillon, posaçërisht për të rinjtë, gratë dhe komunitetet e tjera.
Këpuska, 62- vjeçare, ka filluar angazhimin në Zyrën e Punësimit në Gjakovë që nga viti 1999, aty ky punon edhe aktualisht mirëpo përvoja e saj në ofrimin e shërbime të punësimit ka nisur qysh në vitin 1988, në sistemin e atëhershëm. Mbi supe ajo mbartë plot 33 vjet përvojë pune në fushën e punësimit.
“Periudha para masave të dhunshme ka qenë përplot angazhim. Kemi arrit që ti punësojmë deri në 100 punëkërkues në ditë kur kemi pas konkurse mirëpo me hyrjen e masave të dhunshme në vitin 1991, sfidat që na kanë përcjellë kanë qenë të mëdha, sidomos largimet nga vendet e punës dhe pamundësia për të ofruar shërbime të punësimit”, kujton znj.Këpuska.
Pas luftës ajo kujton si të vështirë hulumtimin e terrenit sa i përket tregut të punës mirëpo më tërë bagazhin profesional, asnjë pengesë nuk i ka ndalë përpjekjet e znj.Këpuska që të arrijë të ndërmjetësojë duke adaptuar ndryshimet e hulumtimit të tregut dhe qasjen në sektorin privat.
Znj. Këpuska tashmë është shndërruar në një veterane të ofrimit të shërbimeve të punësimit dhe përvojën e saj ajo përpiqet ta përcjellë në vazhdimësi edhe te gjeneratat e ardhshme.
Në të gjitha Zyrat e Punësimit në Kosovë janë mbi 90 këshilltarë punësimi të cilët në baza ditore, sikurse znj.Këpuska, këshillojnë, ndërmjetësojnë në punësim në sektorin privat si dhe njoftojnë punëkërkuesit me mundësitë për aftësim profesional dhe punësim.
Agjencia e Punësimit e Republikës së Kosovës (APRK), në bashkëpunim edhe me partnerët e saj, si Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) nëpërmjet Programeve Aktive të Tregut të Punës (ALMP 2) është e angazhuar në vazhdimësi në krijimin e mundësive të punësimit për punëkërkuesit në Kosovë