Krejt çka ndodhi dje në Repë të Podujevës, ku u vranë dy vëllezërit Abazi

Gjatë ditës së djeshme Indeksonline ka raportuar për të shtëna me armë zjarri në fshatin Repë të Komunës së Podujevës, ku mbetën të vrarë dy vëllezërit Abazi.
Njëri nga vëllezërit ka vdekur në vendin e ngjarjes ndërsa tjetri fillimisht u dërgua për tretman mjekësor në QKUK, ku më pas në ora 19:18 ka ndërruar jetë.
Njësitet policore kanë kryer bastisjen në shtëpinë e të dyshuarit ku janë gjetur dhe konfiskuar një armë AK-47, një pistoletë me gas dhe një pushkë gjuetie.
Me vendim të prokurorit trupat e pa jetë janë dërguar për obduksion.
I dyshuari mashkull kosovar i cili dyshohet se e kishte kryer veprën gjendet në arrati.

Dy vëllezërit Abazi, 33 dhe 41 vjeç kishin pasur mosmarrëveshje me dorasin R.Sh për shkak të pronës.
Dy familjet para disa ditësh ishin përleshur fizikisht, kjo pasi që viktima ka kositur një pronë që dorasi i dyshuar pretendon se është e tij.
Dorasi, 65 vjeçar, jeton së bashku me bashkëshorten në fshatin Repë, ndërsa familja e tij jeton në Angli.
Ndërkohë që burime të Indeksonline, bëjnë me dije se muaj më parë u kishte ndërruar jetë edhe babai i dy vëllezërve Abazi.
