Mblidhet komisioni, që synon të publikojë me “emër e mbiemër” përfituesit e privatizimit

Sot për herë të parë, do të mblidhet Komisioni hetimor parlamentar, lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë. Mbledhja e parë e këtij komisioni të formuar me kërkesën e PDK-së mbahet nga ora 11:00, ndërsa në rend dite do te jetë konstituimi i komisionit dhe diskutimi lidhur me aktivitetet e komisionit.
Javë më parë, me 77 vota për, Kuvendi i Kosovës formoi Komisionit hetimor parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë, i cili do të ketë 11 anëtarë.
Deputeti Bedri Hamza, tha se PDK-ja ka paraqitur këtë nismë të rëndësishme ligjore në mënyrë që ngjarjet që kanë ndodhur rreth privatizimit të bëhen publike, të vërtetat e të pathënat, por edhe të eliminohen paragjykimet që janë servuar qytetarëve të Kosovës.
“Kush privatizoi e kush përfitoi nga procesi i privatizimit në Kosovë, me emër e mbiemër të bëhen publike personat fizikë dhe juridikë, të lidhur me politikën, qofshin edhe politikanë, si edhe të specifikohet objekti dhe vlera e privatizimit. Cila është lista e ndërmarrjeve të privatizuara deri tani, cili është roli i Qeverisë ndër vite të privatizimit”, deklaroi ai në seancën e votimit të këtij komisioni.