Reportazh/Nga Vlora në Ksamil, parajsa shqiptare që s’duhet humbur!

E mbushur me histori, e pasur me një pejsazh magjepsës, e njerëz të mrekullueshëm, është kjo Shqipëria jonë.
Një vend ku të pushojnë sytë, shpirti e trupi, ku të ofron me qindra mundësi për t’u relaksuar e argëtuar, për të mësuar e gjurmuar, e mbi të gjitha është deti, rëra, kaltërsia ku bashkohet toka me qiellin, që të lënë pa frymë.

IndeksOnline bashkë me mediet kosovare, javën e kaluar, prekën nga afër pjesët më të bukura të shtetit amë, për të parë mundësitë e turizmit që po ofron shteti fqinj në këtë kohë pandemie, që përveç numrit të turistëve, nuk ia ka zbehur aspak bukurinë e madhështinë.

Pasi lamë qytetin antik të Durrësit, u nisëm drejt Vlorës, një qytet përrallor, ku gjithandej ndjehej e shihej deti, i rrethuar me një pamje fantastike, që fare lehtë edhe nga autobusi mund ta shijoje këtë copë mrekullie.

Për të vazhduar tek një nga resortet më moderne, i vendosur Radhime, Hotel Regina. Një resort që shohim vetëm përmes rrjeteve sociale, pa besuar se një të tillë mund ta kesh tokën shqiptare, që të jep mundësi për ta vrojtuar nga lartë këtë kartolinë mahnitëse.

Aty takuam kryetarin e Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, i cili tha se ky vend ka hapësirën e nevojshme për të përballuar fluksin e turistëve duke respektuar rekomandimet e institucioneve shëndetësore.

“Në shumë kohë, në shumë vite, me shumë dashuri e përkushtim, me shumë përkujdesje, janë bërë streha, e akomodimit të shumë qytetarëve nga Kosova, që të zgjedhin Vlorën për pushimet e tyre të verës dhe si asnjëherë tjetër, si asnjë vit tjetër, mediat kanë qenë prezent dhe gjithnjë kanë transmetuar lajme pozitive nga Vlora, pejsazhet e bukura që ky qytet i bukur ka dhe mbi të gjitha ia prezantojnë shqiptarinë të gjithë qytetarëve te Kosovës”.

Ishte e pamundur, të mos ndalonim tek Parku Nacional i Llogarasë, ku dukej se gjithë dora e Zotit ishte shkrirë në këtë vend. Një panoramë magjepsëse, teksa të lejonte edhe të shijonte një avanturë “çmendurie” për të gjithë që e duan adrenalinën.
Sytë na mbetën prapa, por dukej se diçka më e bukur na priste gjatë udhëtimit. Ishte Ishulli i Jalës, që dukej nga tatëpjeta e rrugëve. Sa më shumë që zbrisnim, ofroheshim te kjo perlë, ku pushuesit tashmë kishin gjetur rehatinë e tyre.

Uji i kristaltë, e rëra si prej “mëndafshi”, të bënte për vete, që s’kishe si të mos dashurohej në shikim të parë.
Një mikpritje e ngrohtë, si dielli i asaj dite, gjetën tek pronarët e Social Camping Jale, një kamping ky kryesisht për mosha të reja. Një ambient i rrethuar me ngjyra, dashuri e ushqim fantastik.
Çdo kënd, ishte aq i këndshëm, sa të bënte ta harroje gjithë botën, e të humbisje për një kohë të gjatë në gjirin e kësaj pjesëze, që mund ta shijoje për një çmim tejet të volitshëm.

“Ofertat janë të ndryshme në varësi të akomodimit që mysafirët preferojnë. Nga 65 euro, të gjitha të përfshira, mëngjes, drekë dhe darkë, edhe akomodimi në shtëpizat e drurit që ofrojmë dhe 60 euro, për pjesën e tendave të çadrave, përsëri me të treja vaktet e përfshira.

Normalisht që pandemia ka ndikuar, sepse të gjithë e dimë si është situata me virusin. Ne kemi mysafirë që na vijnë nga Kosova, por normalisht ka ndiku COVIDI, sepse s’është e lehtë të dalin jashtë kufijve, të udhëtojnë edhe pse kanë dëshirë”, tregonte për gazetarët kosovarë, menaxherja e këtij kampingu, Borjana Selimi.

Ndërsa, pronari i Sharr Travel, Ruzhdi Kurtishaj tha se pavarësisht pandemisë, udhëtime të rregullta ka nga Kosova drejt Jalës.
“Pa marr parasysh që jemi në kohë të COVID-it dhe udhëtimet po realizohen nga ora 10:00 e natës fillojnë nisjet nga Prishtina dhe këtu arrin dikund rreth orës 06:00 të mëngjesit, që është kohë ideale për të qëndruar gjatë gjithë ditës në plazh, për t’i marrë rrezet e diellit të bukur përbri këtij deti të mrekullueshëm, të pastër me një sasi të jodit që është shumë shërues sipas mjekëve për COVID, adekuate, mos të themi shëruese.

Andaj janë udhëtime të rehatshme dhe kthimi bëhet në orët e pasditës, kështu që secili pushues apo i ri që niset nga Prishtina arrin këtu në mëngjes dhe gjatë gjithë ditës mund të bëj plazh për tri ditë të plota për vetëm 60 euro. Dhe ky është një çmim shumë i lirë, i favorshëm sepse përfshinë edhe ushqimet me tri vakte dhe udhëtimin me autobus komod, ku nuk mungon edhe komoditimi dhe shërbimi gjatë këtij udhëtimi”.

Nga Jala u larguam me perëndimin e diellit, për të vazhduar, drejt Sarandës së bukur. Qyteti në jug të Shqipërisë, që orët bëheshin tejet të shkurtëra, kur ke përpara ato pamje që ta rrëmbejnë për një kohë të gjatë kujtesën.

Dita e nesërme nisi me një konferencë, që kryetari i Bashkisë së Sarandës, Adrian Gurma, kishte organizuar për mediet kosovare. Ai foli rreth sezonës së verës, përgatitjet që kanë bërë, veçmas për t’i siguruar turistët, duke i mbrojtur nga virusi korona.

“Saranda për çdo sezon ka 500 turistë, por këtë vit ka pasur rënie drastike shkaku i pandemisë. Saranda duhet të ishte e mbushur me turistë. Situata do të jetë më e mirë. Ne kemi mundësinë të bëjmë promovimin e vlerave më të mirë të Kosovës. Kuptohet situata e tillë na ka penguar të kemi lëvizshmërinë e lirë mbarëshqiptarë. Bashkia e Sarandës ka pasur organizime në Kosovë.

Ne po bëjmë të pamundurën të mbajmë personelin në punë. Përveç dëmeve në aspektin material pjesa e bashkimit e kanë mall Sarandën por për shkak të COVID-19, ka krijuar frikë për mos ardhjen e tyre. Krahasimisht në vitet e kaluara 25 mijë pushues në vitin 2018 kanë ardhur në Sarandë”, tha ai.

E, mirënjohje për kontributin që ka dhënë në promovimin e turizmit shqiptar, kryetari i Bashkisë së Sarandës, i dhuroi, Ruzhdi Kurtishajt, kryetarit të Kuvendit në Odën Ekonomike të Kosovës (OEK), njeherit drejtor i Agjensionit Turistik “Sharri”.

“Kurtishaj ka kontribuar jashtëzakonisht në fushën e turizmit dhe bashkimin e afrimin e të dyja shteteve. Është nder i veçantë që sot t’i ndaj këtë mirënjohje në emër të gjithë qytetarëve të Sarandës”, tha Gurma.
Kurse, Kurtishaj deklaroi se këtë mirënjohje u’a dedikon të gjithë pushuesve kosovarë që vizitojnë Sarandën.

Të jesh në një vend bregdetar, e mos të shijosh ushqime deti, është diçka thuajse e pazakontë.

Ne patëm mundësi të shkonim në një vend që zbulonte një fshehtësi të madhe, veç që dukej si kartolinë, kishte për specialitet, midhjen, që njihet se simbol i turizmit dhe kulinarisë së një qyteti bregdetar.

Është ky “The Mussle House”, i vendosur në rrugën “Sarandë – Butrint” 10 km tek Harta e Qafes.
Larg prej qytetit e plazhit, të duket sikur je një planet tjetër, atë të qetësisë dhe shijes së ëndërruar, ku mund të shohësh rrjetat e peshkatarëve, e ushqimin e freskët teksa vjen në pjatën tënde.

Jo shumë larg nga aty, është Ishulli i Ksamilit, një nga pikat më të forta dhe të pëlqyera të jugut të Shqipërisë.
Rrezet e diellit që bien në ujin e kristaltë, janë veç një mrekulli në vete, që të paktën duhet provuar një herë në jetë, për ta memorizuar pastaj përgjithnjë në arkivën e kujtimeve/
Edhe në këtë ishull, pamë turistë të shumtë, ku s’mungonin as kosovarët, të cilët përherë i qëndrojnë besnik bregdetit shqiptar, prandaj edhe moto e këtij viti është “Pusho Shqip”.
Prandaj s’ka më mirë të frymosh shqip, ushqehesh shqip, të flasësh në gjuhën e nënës e të shijosh bukuritë e rralla që ka Shqipëria./Blerina Racaj/IndeksOnline







