75 Mall Live Search
11:36 / E Hënë, 27 Korrik 2020 / indeksADMonline

Dasma me të shtëna armësh në kohë pandemie

Në tri dasma të mbajtur gjatë së dielës në rajonin e Prishtinës, policia ka intervenuar duke konfiskuar armë. Përveç që dasmat po mbahen në kohë pandemie, në to po përdoren edhe armët duke shkaktuar rrezik të përgjithshëm, transmeton IndeksOnline.

Sipas policisë, një rast ka ndodhur në rrugën “Ali Kelmendi” në Prishtinë.

“Pas pranimit të informatës për të shtëna armësh, njësitë policore nga i dyshuari mashkull kosovar kanë konfiskuar një pistoletë me të cilën i dyshuari kishte shtënë në një aheng familjar. Në vendin e ngjarjes janë gjete dhe sekuestruar edhe 4 gëzhoja të fishekëve. I dyshuari pas intervistimit në konsultim me prokurorin është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e policisë.

Rasti tjetër ka ndodhur në fshatin Leban të Prishtinës.

“Raportohet se në një aheng familjar ka pasur të shtëna me armë zjarri, njësitë policore kanë sekuestruar 5 gëzhoja, 3 fishekë dhe një armë gjysmë automatike po ashtu kanë shoqëruar të dyshuarin mashkull kosovar ne stacionin policor i cili pas intervistimit me urdhër të prokurorit të shtetit lirohet në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.

Kurse rasti tjetër është regjistruar në Fushë Kosovë.

“Njësitë policore nga i dyshuari mashkull kanë konfiskuar një pistoletë me të cilën i dyshuari kishte shtënë në një aheng familjar. Në vendin e ngjarjes janë gjetë dhe sekuestruar edhe 6 gëzhoja të fishekëve. I dyshuari pas intervistimit në konsultim me prokurorin është liruar në procedurë të rregullt”, njofton policia./IndeksOnline/