Masat e reja për parandalimin e COVID-19, ky është reagimi nga drejtuesit e Dritës

Drita e Gjilani në konkurrencën e meshkujve dhe KFF Mitrovica (femrat) tashmë e kanë siguruar pjesëmarrjen në garat ndërkombëtare.
Nga ana tjetër, sonte mësohet edhe skuadra e katërt nga Kosova që do të prezantohet në Evropë, ku përballen në finalen e Digitalb Kupës, FC Prishtina e Ballkani.
Megjithatë, pandemia COVID-19 po vazhdon të sjellë shumë telashe e sidomos për këto klubet që do të dalin në Evropë.
Rikthimi i masave nga ana e Qeverisë, e cila tashmë ndalon të gjitha aktivitetet sportive në ambiente të hapura dhe të mbyllur, u pamundëson skuadrave të stërviten për t’u bërë gati për ndeshjet që nisin në fillim të muajin gusht.
Valon Zymberi, drejtori sportiv i Dritës në një bisedë me “Zerin” ka bërë me dije se këtë çështje do të mundohen ta zgjidhin me ndihmën e pushtetit lokal.

“Ne nuk mund të ndalemi, kështu që duhet të bëjmë një zgjidhje përmes pushtetit lokal”, ka deklaruar të mërkurën Valon Zymberi.
Tutje, Zymberi konfirmoi se skuadra e Dritës që drejtohet nga Ardian Nuhiu është rikthyer sot në stërvitje pas dy ditësh pushim.
“Sot skuadra ka stërvitur në mëngjes”, konfirmoi Zymberi.
Për fund, drejtori sportiv i kampionit të Kosovës ka folur edhe për përforcimet e mundshme para nisjes së garave evropiane, duke thënë se do të mundohen të sjellin të paktën dy apo tre lojtarë.
“Jemi duke punuar në atë drejtim. Por, është e vështirë shumë. Pandemia na ka vështirësuar punët. Dy apo tre lojtarë nëse është e mundur do t’i sjellim”, u shpreh Zymberi, duke thënë se edhe huazimet në këtë periudhë janë opsion.
“Sa i përket huazimeve, do ta shohim. Por, nuk është situata e njejtë me atë të vitit të kaluar sepse koha është shumë e shkurtë për dallim prej vitit të kaluar”, përfundoi për Valon Zymberi.