Ahmeti: Kopshtet në Prishtinë nuk hapen
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka thënë se çerdhet nuk do të hapen.
” Komuna e Prishtinës është duke e hartuar një protokol i cili do të konkretizojë deri në detaje menaxhimin e situatës me kopshte, pas rihapjes. Ky protokol do të udhëzojë në veçanti kopshtet, për menaxhimin e kopshteve dhe masat që do të ndërmirren në rast të infeksioneve eventuale”, ka shkruar mes tjerash ai.
Shkrimi i tij i plotë në Facebook:
Prindër të dashur,
Pas masave të fundit të ndërmarra nga Qeveria
e Kosovës, të cilat kanë për qëllim luftimin e pandemisë #covid19, Komuna e
Prishtinës ka ndërmarrë të gjitha hapat sipas përgjegjësisë dhe kompetencave të
cilat i takojnë.
Sipas këtyre masave, Qeveria e Kosovës, ka zhvendosur në kompetencë të komunave
të Republikës vlerësimin e situatës në nivel komune, për rihapjen e kopshteve.
Numri i të infekuarve me #covid19 në Kosovë, është duke u rritur jashtëzakonisht shumë ditëve të fundit, e sipas studimeve dhe situatave të krijuara në disa shtete në botë, shpërndarja e virusit po infekton edhe grupmoshat e reja, përkatësisht fëmijët. Kjo ka bërë që Komuna të analizojë me kujdes të shtuar situatën e krijuar.
Komuna e Prishtinës është duke e hartuar një protokol i cili do të konkretizojë deri në detaje menaxhimin e situatës me kopshte, pas rihapjes. Ky protokol do të udhëzojë në veçanti kopshtet, për menaxhimin e kopshteve dhe masat që do të ndërmirren në rast të infeksioneve eventuale.
Pasi që të finalizohet protokoli dhe pasi që të bëhet vlerësimi i situatës, nga personeli profesional, do të caktohet data e hapjes së kopshteve në Komunën e Prishtinës pasi që prioritet për ne është shëndeti i fëmijëve dhe personelit të kopshteve.
Ju falemnderit për mirëkuptimin dhe shëndet për të gjithë!