75 Mall Live Search
10:25 / E Hënë, 03 Gusht 2020 / indeksADMonline

Protestojnë infermierët, mamitë dhe profesionistët shëndetësore, kërkojnë që ndërrimi i natës të paguhet 36 euro

Sindikata e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve Shëndetësorë janë bashkuar sot për të mbajtur një protestë para objektit të Qeverisë së Kosovës.

Përfaqësues të këtyre sindikatave u bën bashkë për të protestuar lidhur me mos-plotësimin e kërkesave të tyre.

Pavarësisht rrezikut që po u kanoset në shëndetin e tyre, infermierët po paguhen vetëm 18 euro për punën që po bëjnë në ndërrimin e natës.

Ata po kërkojnë që ndërrimi i natës i cili paguhet 18 euro të paguhet 36 euro.

Fitim Havolli nga Sindikata e Infermierëve dhe Mamive të Kosovës tha se përmes kësaj proteste kanë kërkuar që qeveria të kthejë kokën kah ky komunitet i cili është në front të parë me pacientët e prekur me COVID-19.

Ai tha se kërkesa e tyre është që ndërrimi i natës të paguhet 36 euro, pasi aktualisht pagesë për ndërrim të natës është 18 euro.

Havolli u shpreh se nuk po kërkojnë rritje page por po kërkojnë që kërkesat e tyre nga qeveria të trajtohen me prioritet.

Në mënyrë simbolike infermierët dhe mamitë që sot protestuan i kanë dorëzuar mantelet.

Që nga fillimi i përhapjes së pandemisë në Kosovë, afër 800 profesionistë shëndetësorë janë infektuar me koronavirus. Prej tyre, pesë raste kanë përfunduar me vdekje.

Nuk është vërejtur numër i madh i protestuesve, pasi që edhe në njoftim të njëjtit patën deklaruar se pjesëmarrës do të jenë prej 20 deri në 50 infermierë, për shkak të situatës pandemike me të cilën po përballet i gjithë vendi./Indeksonline/