Prokurorë e gjyqtarë, sëmundje të ndryshme e lënë Kosovën pa emra të njohur të drejtësisë

Që nga muaji qershor, shumë emra të njohur të drejtësisë në vend humbën jetën.
Prej tyre tre prokurorë dhe dy gjyqtarë.
Në javën e dytë të qershorit opinioni u njoftua për vdekjen e gjyqtarit të Gjykatës Themelore në Gjilan, Halil Zahiri.
Lajmi për vdekjen e tij u bë i ditur nga kryetari i Themelores në Gjilan, Ramiz Azizi.
Më 18 korrik ndërruan jetë dy emra të njohur të tjerë të drejtësisë: Prokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Ismet Ukshini si dhe Gjyqtari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Shasivar Hoti.
Ukshini së fundiu ishte prekur me virusin COVID-19, teksa më parë po përballej edhe me sëmundje të rëndë të mushkërive.
Ai kishte qëndruar i shtrirë në Spitalin e Gjilanit që nga data 6 korrik.
Kurse lajmi për vdekjen e Shasivar Hotit, një nga Prokurorët më me emër në Prishtinë u bë i ditur nga Kryetarja e Gjykatës Themelore në Pristhinë, Afërdita Bytyqi.
Bytyqi tha se Hoti ishte në pushim vjetor, ku më pas djali i tij njoftoj se gjendja shëndetësore e tij është keqësuar dhe ka ndërruar jetë.
Ditë më parë ndërroi jetë edhe Prokuroi nga Gjilani, Esat Ademi.
Ademi ndërroi jetë si pasojë e infektimit me virusin COVID-19. Në orët e vona të mbrëmjes së kaluar u bë e ditur edhe lajmi për vdekjen e Kryeprokurorit të Prokurorisë së Gjakovës, Ali Selimaj.
Selimaj u cilësua si një nga emrat kyç të sistemit të drejtësisë në këtë komunë, teksa ndërroi jetë si pasojë e përballjes me një sëmundje të rëndë.
Duhet përkujtuar që si pasojë e përhapjes së madhe të virusit COVID-19, institucionet e vendit morën vendim që ceremonitë mortore të kryhen vetëm nga familja e ngushtë dhe të mos ketë të pranishëm njerëz të shumtë.
Kësisoj shumë prej njerëzve të cilët humbën jetën gjatë muajve të fundit, si pasojë e COVID-19 apo jo, nuk u varrosën me numër të madh të të pranishmëve.
Vendi po vazhdon të përballet me koronavirusin, teksa edhe disa prej emrave të lartcekur humbën jetën si pasojë e prekjes pikërisht nga ky virus./Indeksonline/