A është vendim i duhur kthimi i nxënësve në shkolla në shtator?

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për rikthimin e nxënësve në procesin mësimor, përkatësisht të atyre nga klasa e 1-5, në bankat shkollore, ka gjetur të ndarë shumë kënd, se a duhet apo jo në këtë kohë pandemie, të bëhet hapja e tyre.
Derisa krerët e komunave janë ankuar për mungesë ekspertize e për kushte të papërshtatshme teknike për realizimin e mësimit në distancë, apo e-mësimin, janë prindërit ata që në disa raste kanë shfaqur hezitimin e tyre për t’i rikthyer nxënësit në shkollë, shkruan IndeksOnline.
Mirëpo për njohësit e arsimit në vend, një vendim i tillë ka qenë i matur dhe i domosdoshëm për të ndodhur në këtë fazë ku jemi, duke ditur rëndësinë e arsimimit për një shoqëri.
Rinor Qehaja, njohës i proceseve arsimore, tha për IndeksOnline se rikthimi ka qenë një vendim i matur po që duhet përcillet me hapje graduale në të gjitha nivelet.
“Periudha jashtë shkollës ka impakt te jashtëzakonshëm në zhvillimin kognitiv dhe akademik te fëmijëve, kjo, përtej që shtrihet në të tanishmen mund të ketë ndikim të pashmangshëm në mesimnxënie për fëmijë në të ardhmen po ashtu. Rikthimi për arsimin fillor paraqet vendim të matur, por që duhet të pasohet nga rihapje edhe të ciklit të e mesëm të ultë dhe atë të lartë, pra, rikthim gradual deri në fund të muajit për të gjitha nivelet”, tha Qehaja.
Ai tutje ka theksuar se situata pandemike nuk duhet të shpërqendroj në asnjë moment mësimdhënësit dhe nxënësit dhe se fokusi i tyre duhet të jetë tek zbatimi i një procesi të mirëfilltë mësimor.
“Rifillimi i vitit shkollor në kushte pandemie nuk guxon qe vëmendjen ta shpërqendroj nga mësimnxënia tek pandemia – kujdes të shtuar në ambiente të shkollës, por, përqendrim maksimal nga komuniteti i shkollës për zbatim të mirëfilltë të procesit mësimor”, tha Qehaja për IndeksOnline.
Ndryshe disa shtete evropiane siç janë ato skandinave tashmë kanë filluar procesi mësimor, përkundër rasteve që janë shtuar në këto shtete me personat e prekur me Covid-19, me arsyetim se fëmijët nuk janë në mesin e përhapësve të virusit korona dhe se zhvillimi i një procesi mësimor është i një rëndësie të veçantë./IndeksOnline/