Testi negativ për Covid 19 nuk do të thotë shërim

Shkruan: Nisreen A. Alwan, profesoreshë e shëndetit publik në Universitetin e Southamptonit
Tetë muaj pas fillimit të pandemisë globale, efektin e saj po e masim ende vetëm me numrin e vdekjeve. Rastet e pahospitalizuara po quhen “të lehta” dhe nuk po përcillen. Shërimi përkufizohet si lirim nga spitali apo testimi negativ për virusin. Shëndeti i ligë te ata që po quhen “të shëruar” është në masë të madhe i pamatur. Në tërë botën, miliona që kanë mbijetuar por që as nuk janë testuar, as hospitalizuar, nuk numërohen fare.
Njerëz paraprakisht të shëndetshëm me simptoma si rëndim në gjoks, mungesë fryme, dhembje muskujsh, të rrahura të zemrës dhe lodhje, ankesa këto që ata i pengojnë për ta vazhduar punën apo kryer aktivitetet fizike, klasifikohen ende në ombrellën e “Covidit të lehtë”. Të dhënat e sistemit përcjellës britanik tregojnë që së paku një në dhjetë persona të tillë raportojnë simptoma edhe pas tri javësh.
Kam pasur simptoma të Covidit si ethe, kollë, probleme me lukth, dhembje gjoksi dhe këmbësh në fund të marsit. Atëbotë, pacientët e pahospitalizuar nuk testoheshin. Që prej atëherë, kam pasur ditë të këqija me simptoma, ditë të mira, pastaj ditë të lodhjes të cilat më kanë bërë të pendohem për punët që i kam bërë në ditë të mira, siç ka qenë ecja e shkurtër.
Edhe pse klinicistët dhe hulumtuesit e kanë idenë se kush është në rrezik më të shtuar për të vdekur nga Covidi, ne nuk dimë kush ka prirje që të ketë simptoma të zgjatura pas infeksionit qoftë simptomatik, qoftë josimptomatik. Ideja e pranimit që një grup shoqëror të lejohet të infektohet, duke i mbrojtur njëherësh grupet e cenueshme, bëhet e pakuptueshme pa e konsideruar shëndetin dhe produktivitetin si rezultate/pasoja, përveç vdekjes si të tillë.
Përkufizimi i “shërimit” duhet të përfshijë kohëzgjatjen, peshën dhe fluktuacionin e simptomave, si edhe funksionalitetin dhe cilësinë e jetës. Secili që është simptomatik do të mbetej si “rast” derisa të plotësonte kriteret e shërimit apo të vdiste. Rregulli kryesor i epidemiologjisë duhet të zbatohet edhe në këtë pandemi.