Zyra e O’Brien: Kjo është arsyeja pse takimi në Uashington u shty për dy ditë

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Ullyot, ka treguar se takimi ndërmjet Kryeministrit Avdullah Hoti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq që ishte caktuar të mbahet në Uashington më 2 shtator, është shtyrë për dy ditë për shkaqe të planifikimit.
Ullyot kështu ka bërë të ditur për Klan Kosova, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës besojnë se përparimi në çështjet ekonomike është rruga drejt procesit të paqes.
“Këshilltari për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien, i ka ftuar udhëheqësit e Serbisë dhe Kosovës në Uashington në 4 shtator”.
“Bisedimet u shtynë për dy ditë nga 2 Shtatori për arsye të planifikimit”.
“Shtetet e Bashkuara shpresojnë në këto diskutime të rëndësishme me Presidentin Vuçiq dhe Kryeministrin Hoti”.
“Ne besojmë se përparimi në çështjet ekonomike, përfshirë krijimin e vendeve të punës dhe përshpejtimin e rritjes ekonomike, është hapi i parë drejt përparimit të procesit të paqes”.