Sindikata e Infermierëve paralajmëron protestë nëse nuk ekzekutohen shtesat e 300 eurove deri në këtë datë

Sindikata e Infermierëve të Kosovës ka thënë se është e indinjuar dhe ndjehet e mashtruar me vonesën e ekzekutimit të shtesave mbi pagë në vlerë prej 300€ për muajt korrik dhe gusht 2020 për punonëtorët shëndetësorë.
Përmes një komunikate për media thuhet së shumë infermierë janë infektuar me virus e në mesin e tyre kishte edhe të vdekur, vetëm që qytetari të ketë kujdesin cilësor maksimal.
“Deri sa vetëm nga komuniteti ynë janë mbi 1000 infermierë të infektuar me COVID-19, pa llogaritur edhe komunitetet tjera, ndërsa nga ta kishte edhe të vdekur, e gjithë kjo sakrificë vetëm që qytetari të ketë kujdesin cilësor maksimal dhe të merituar, arsyetimet dhe tendencat për ndarje në shtesa për personelin shëndetësor i konsiderojmë absurde dhe të paarsyeshme”, thuhet në komunikatë.
Sindikata e Infermierëve të Kosovës i ka vendosur ultimatum Ministrisë së Shëndetësisë, SHSKUK-së dhe Ministrisë së Financave që t’i ekzekutojnë paratë deri të martën në ora 16:00.
“Sindikata e Infermierëve të Kosovës, duke mos dashur t’a anashkalojë dialogun social, fton Ministrinë e Shëndetësisë, SHSKUK-në, Ministrinë e Financave dhe të gjitha institucionet tjera relevante që t’i thërrasin arsyes dhe të reflektojnë deri ditën e Martë 01/09/2020 në ora 16:00. Në rast se deri në atë kohë nuk do të ekzekutohen pagesat shtesë sipas listave dhe rekomandimeve që me kohë janë dërguar, ftojmë të gjitha komunitetet, në veçanti komunitetin infermier, mami dhe profesionistë tjerë shëndetësorë, anëtarë të Sindikatës së Infermierëve të Kosovës që ditën e Mërkurë, 02/09/2020 nga ora 12:00 të mblidheni para zyrave të drejtorisë së SHSKUK-së në shenjë proteste”, thuhet në komunikatë.