Tejkalohen dallimet midis Sindikatës dhe SHSKUK-së në lidhje me shtesat prej 300 eurosh

Ushtruesi i detyrës i drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, ka pritur në një takim pune drejtuesit e Sindikatës së Infermierëve të Kosovës.
Në takim siç theksohet në komunikatën e lëshuar nga SHSKUK-ja, është biseduar në lidhje punën e infermierëve, me theks të veçantë angazhimin e infermierëve gjatë kohës së pandemisë Covid-19.
Po ashtu, temë diskutimi ishte edhe zbatimi i vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për shtesat prej 300 eurosh për infermirët, e për të cilën sindikalistët kishin shprehur pakënaqësit e tyre.

“Ai ka falënderuar sindikalistët dhe të gjithë infermierët për angazhimin e tyre të vazhdueshëm dhe punën profesionale që po bëjnë me pacientët në përgjithësi, sidomos me trajtimin e rasteve me Covid-19.
Duke folur për zbatimin e vendimit të Qeverisë për shtesat në pagë, drejtori Krasniqi, ka siguruar sindikalistët e infermierisë se zbatimi i vendimit do të bëhet në koordinim të plotë me Ministrinë e Shëndetësisë”, thekson komunikata e postuar në Facebook.

Tutje drejtuesit e Sindikatës së Infermierisë, kanë falenderuar drejtorin për takimin dhe angazhimet e vazhdueshme për të siguruar mirëqenie dhe kushte më të mira për infermierët.
Gjatë takimit, drejtuesit e Sindikatës u pajtuan dhe u bindën se ekziston vullnet dhe angazhim konkret nga ShSKUK, për tejkalim të situatës në lidhje me shtesat për muajin korrik dhe gusht për infermierët./IndeksOnline.