75 Mall Live Search
13:39 / E Martë, 01 Shtator 2020 / indeksADMonline

Përurohet çerdhja e re, në Lipjan

Është përuruar sot çerdhja e re në Komunën e Lipjanit. Çerdhja e re që u përurua nga kryetari i komunës, Imri Ahmeti ka kapacitete për pranimin e 200 fëmijëve.

Me këtë rast kryetari Ahmeti tha se është kënaqësi e veçantë përurimi i një objekti me standarde të larta dhe kushte moderne, i cili do të shërbejë për edukimin e fëmijëve në moshë të hershme. Ai ka theksuar se investimi në çerdhe publike, është po aq i rëndësishëm sa investimi në institucione të arsimit të lartë, sepse sa më të vegjël të ndërlidhen fëmijët në institucione arsimore aq më shumë përparojnë dhe përgatiten për rrugën e tyre drejt shkollimit.

“Ishte edhe zotim yni që Lipjanit t’i shtohet edhe një çerdhe e re, në mënyrë që gjithë atyre që punojnë të kenë mundësi shtesë për vendosjen e fëmijëve të tyre në këtë institucion publik”, është shprehur kryetari Ahmeti.

Për shkak të situatës aktuale të ballafaqimit me pandeminë COVID – 19, kryetari Ahmeti u bëri apel punëtorëve të çerdhes dhe prindërve që sjellin fëmijët e tyre në këtë çerdhe, të respektojnë rekomandimet e IKSHPK-së për parandalimin e përhapjes së virusit COVID – 19.

Nga ana tjetër, drejtoresha e çerdhes publike në Lipjan, Biha Azemi, tha se me rritjen e numrit të banorëve në qytetin e Lipjanit është shtuar edhe kërkesa për çerdhe publike, prandaj ka falënderuar Komunën e Lipjanit për këtë investim.

Çerdhja e përuruar sot në Lipjan ka kapacitete për pranimin e 200 fëmijëve, por që gjatë kohës së pandemisë, do të punojë me kapacitete të reduktuara. Ky investim është nga Komuna e Lipjanit dhe arrin vlerën: 323, 991.89 euro.