75 Mall Live Search
22:25 / E Hënë, 07 Shtator 2020 / indeksADMonline

Enver Hasani thotë se shkohet në zgjedhje të reja nëse Presidenti nuk votohet deri më 11 mars

Nëse deri më 11 mars të vitit të ardhshëm Kosova nuk do të ketë një president të ri, vendi do të shkojë në zgjedhje. Kështu thuhet në Kushtetutën e Kosovës, sipas ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani.

I ftuar në emisionin Presing në T7, Hasani ka treguar procedurat që duhet ndjekur nëse nuk zgjidhet presidenti i ri para përfundimit të mandatit të presidentit aktual. Presidentit Hashim Thaçi, mandati i përfundon në prillin e vitit 2021.

Ndërkohë nëse para kësaj Thaçi jep dorëheqje, ushtrues i detyrës së presidentit bëhet kryetari i Kuvendit. Në këtë pozitë, në këtë rast, Vjosa Osmani, do të mund të ishte më së shumti për gjashtë muaj.

“Gjashtë muaj. Brenda atij 6 mujori duhet me u zgjedh kryetari i ri. Nëse dështon shkohet në zgjedhje’, shpjegoi Hasani.

Por nëse shkohet në zgjedhje a mbetet Osmani ushtruese e detyrës së presidentit?

“E aty duhet prapë në Gjykatë për shembull me kërku interpretim’, thotë ai.

“Kushtetuta thotë gjashtë muaj”, tha Hasani.

‘Nëse për 60 ditë dështon të zgjidhet presidenti shkohet në zgjedhje”.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se nëse konfirmohet aktakuza e Prokurorit të Specializuar kundër tij, atëherë ai do të japë menjëherë dorëheqje nga pozita që ka.

Mandati i Thaçit si president përfundon në prillin e vitit 2021.

Prokurori më 24 prill të këtij viti ka dërguar aktakuzën për shqyrtim me dhjetë pika, në të cilën Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe “të tjerë”, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura. Ende nuk është bërë e ditur kush bën pjesë në mesin e “të tjerëve”.

Ndërkohë nuk ka marrëveshje për zgjedhjet e presidentit nga koalicioni aktual qeverisës. Kandidaturën për president e ka shpallur i pari i AAK’së, Ramush Haradinaj.