Telegram ngushëllimi i ministres Dumoshi me rastin e ndarjes nga jeta të rapsodit Isë Llapqeva

Ministrja e Kulturës,Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi ka ngushëlluar familjen Llapqeva për ndarjen nga jeta të rapsodit Isë Llapqeva, shkruan IndeksOnline.
Dumoshi tha se Isa përmes këngëve ka përcjellë tek populli ynë vlerat e mirëfillta të këngës, historisë e kulturës autoktone shqiptare duke kontribuuar në pasurimin e trashëgimisë tonë.
“E nderuara familje Llapqeva,
Me pikëllim e mora lajmin për ndarjen nga jeta të të dashurit tuaj, artistit tonë të këngës folkorike, Isë Llapqeva.
Përmes këngës, Isa, ka përcjellë tek populli ynë vlerat e mirëfillta të këngës, historisë e kulturës autoktone shqiptare duke kontribuuar në pasurimin e trashëgimisë tonë.
Isa me bashkëpunimet e tij me shumë këngëtarë tjerë, folkloristë e rapsodë, ka lënë një veprimtari të pasur e cila identifikohet si krijimtari popullore folklorike e rapsodike e cila shërben në kultivimin e mëtejmë të trashëgimisë shpirtërore e të kujtesës.
Me zërin e tij, nën tingujt e çiftelisë e sharkisë, Isë Llapqeva, ka përcjellë tek brezat e rinj historinë tonë e cila është transmetuar nëpërmjet këngës. Ai ka luajtur një rol të rëndësishëm dhe mosprania e tij do të jetë një mungesë jo vetëm për familjarët, miqtë dhe kolegët e tij por do të jetë edhe një mungesë për krijime e vlera të reja në folkorin tonë.
E kujtojmë me pietet rapsodin Isë Llapqeva dhe shprehim mirënjohjen dhe falënderimin për kontributin dhe trashëgiminë e pasur që ka lënë pas.
Ngushëllime familjes, miqëve, kolegëve dhe të gjithë artdashësve të këngës së Isë Llapqevës”.