75 Mall Live Search
10:46 / E Mërkurë, 23 Shtator 2020 / C E

Gjilani dje e prezantoi, por Kukësi s’e ka liruar Besar Musollin

Futbollisti që ka luajtur më shumë me fanellën e Kukësit, nga dje mund të konsiderohet një ish-kapiten i Kukësit.

Bëhet fjalë për Besar Musollin, i cili ka firmosur për Gjilanin dhe të martën është prezantuar zyrtarisht nga skuadra e re.

Ai ishte lojtari më jetëgjatë në historinë e klubit të Kukësit në elitë, me plot 201 ndeshje në 8 kampionatet e fundit dhe gjithashtu 270 paraqitje në të gjitha kompeticionet.

Largimi i tij natyrisht që nuk mund të përtypej te Kukësi, prandaj dhe ende nuk ka një mesazh lamtumire për lojtarin, siç ka ndodhur me të tjerët që janë larguar.

Kapiteni i Kukësit e kishte ndarë mendjen për t’u larguar këtë sezon nga ekipi, i detyruar nga rrethanat.

Shkas janë bërë prindërit në Kosovë dhe familja e tij bashkë me fëmijët. Këtë gjë ai ia pohoi edhe presidentit Gjici, i cili ka pasur shumë dëshirë që kapiteni dhe njëkohësisht i preferuari i tij të mos largohej. Por, fatet e palëve ishin ndarë dhe vendimi ishte i pakthyeshëm.

Sipas mediave në Shqipëri lojtari u kishte bërë me dije drejtuesve se nëse Kukësi nuk i jepte letrat, ai jo vetëm që nuk kthehej më, por ishte i gatshëm të sakrifikonte karrierën duke lënë edhe futbollin. Në këto kushte, dje lojtari u prezantua te Gjilani.

Sakaq, akoma nga klubi i Kukësit nuk ka pasur një qëndrim zyrtar për çështjen “Musolli”, por sipas tyre mesfushori është ende lojtar i Kukësit. Kukësi pretendon se lajmet që lojtari është lënë i lirë nga klubi nuk janë të vërteta.

 Gjithsesi, Musolli ka marrë përgjigjen nga FSHF se mund të federohet në një klub tjetër.

Mbetet për t’u parë reagimi i Kukësit në lidhje me transferimin e Musollit te Gjilani. Mesfushori u largua pas 8 vitesh nga nënkampionët në fuqi, duke fituar çdo trofe të mundshëm në Shqipëri. /IndeksOnline/