75 Mall Live Search
13:26 / E Diele, 27 Shtator 2020 / indeksADMonline

Goditje e afarizmit vendimi i fundit i Qeverisë, Kllokoqi paralajmëron aksione, sidomos për klubet e natës dhe sallat e dasmave

Vendimi i fundit i Qeverisë së Kosovës për masat e reja të parandalimit të përhapjes së Covid-19 po shihet si ndëshkues për sektorin e Gastronomisë, pasi që edhe pse iu lejohet veprimtaria deri në orën 23:30, muzikë nuk do të ketë pas orës 21:00.

I papranueshëm, ndëshkues e goditje e afarizmit po konsiderohet pika 4.2 e vendimit 01/32, të 25 shtatorit të Qeverisë, ku ndalohet muzika pas orës 21:00 nëpër subjekte që ofrojnë shërbime të gastronomisë, teksa kryetari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Petrit Kllokoqi për Indeksonline thotë se bizneset dhe tregu kanë nevojë për stimulim e jo për ndëshkim.

Ai thotë se dy masat e para lidhur me funksionimin e bizneseve në hapësirë të brendshme me distancë, dhe heqja e kufizimit të lëvizjes për shoqatën ishin të pranushme, edhe pse për orarin e gastronomisë kanë kërkuar deri në ora 24:00, ndërsa sa i përket ndalimit të muzikës deri në ora 21:00, kjo nuk është e pranueshme për ta.

Edhe po të lejohet lëshimi i muzikës më orar të plotë, Kllokoqi thotë se nuk jenë të kënaqur sepse për gjatë gjithë këtyre muajve kanë vuajtur ekonomikisht.

Kllokoqi: Nëse nuk vazhdon ndihma e shtetit në paga dhe qira, shumë e  vështirë rimëkëmbja e kafiterive dhe restoranteve - Ballkani.info

Neve edhe me na leju me lëshu muzikë dhe me orar të plotë nuk do jemi të kënaqur, pasi që për gjatë gjithë këtyre muajve kemi vuajtur ekonomikisht, duke e marrë parasysh që shumë biznese prej 13 marsit janë ende të mbyllura. Neve na duhet pako e rimëkëmbjes, duhet të bien në ujdi qeveria me parlamentin poashtu një program apo strategji adekuate për Gastronominë”, u shpreh ai.

Gjatë këtyre muajve ka pasur aksione të shumta të gastronomëve, por Kllokoqi thotë se ato nuk do të ndalen, sidomos për klubet e natës dhe sallat e dasmave të cilat nuk punuan asnjë ditë të vetme që nga 13 marsi.

Ata kërkojnë që shteti t’i zgjasë dorën bizneseve duke i ndihmuar me programe të veçanta për gastronominë e duke krijuar rrethana lehtësuse.

Kërkesat tona janë të vazhdueshme që shteti të zgjatë dorën bizneseve duke ndihmuar me programe të veqanta për gastronominë e duke krijuar rrethana lehtësuse si ajo e tvsh-së, fondit të likuiditetit, të mbulojë një pjesë të qirave, subvencionim të puntorëve, të shtyhen interesat e bizneseve në banka pa i klasifikuar bizneset në kategori si të rrezikuara, po ashtu të lihet orari i plotë i punës me muzikë duke respektuar masat”, përfundoi kryetari i Shoqatës së Gastronomëve, Petrit Kllokoqi duke apeluar që të perpilohet një modul si të veprojnë me diskotekat dhe sallat e dasmave sepse shumica vetëm janë pranë bankrotimit./Indeksonline/