Rama nga mbledhja e qeverive: Do ta heqim kufirin, porti i Durrësit do të jetë defakto i Kosovës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në mbledhjen e dy qeverive që po mbahet në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, ka thënë se ambicia e dy shteteve do të jetë heqja e kufirit midis Kosovës dhe Shqipërisë.
“Nëse i referohemi mbledhjes në Pejë të gjitha dokumentet janë në proces zbatimi ose ato kanë përfunduar. Kontrolli në Morin funksionon në parimin një pikëkalimi një kontrollë. Ambicia jonë është heqja e kufirit në funksion të zbatimit të katër lirive të BE-së në rajonin tonë duke filluar nga më e thjeshta, heqja e kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës. Është e rëndësishme që MPB-të e dy shteteve të intensifikojnë punën për të krijuar databazën për hyrje-daljet në kohë reale, që do të na mundësonte hapjen përfundimtare të kufirit pa humbur asnjë centimentër në frontin kundër aktiviteve të paligjshme”, ka thënë Rama.
Ai është shprehur se do të firmosin së shpejti marrëveshje që porti i Durrësit të jetë defakto edhe port i Kosovës.
“Marrëveshja që së shpejti do të firmosim për të lehtësuar procedurat doganore mes dy shteteve na çon në destinacion, shndërrimin e portit të Durrësit në një port defakto të Kosovës”, ka thënë Rama.