75 Mall Live Search
15:02 / E Shtunë, 03 Tetor 2020 / indeksADMonline

Haradinaj-Stublla: Gjermania ka luajtur rol të rëndësishëm në mbrojtjen e integritetit tonë territorial dhe kushtetues

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Meliza Haradinaj-Stublla ka uruar popullin dhe shtetin gjerman me rastin e 30-vjetorit të ri-unifikimit të Gjermanisë.

Haradinaj-Stublla përmes një postimi në Facebook ka falënderuar Gjermaninë për mbështetjen dhe mbrojtjen e integritetit territorial e kushtetues të Kosovës.

Në emër të popullit dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, në 30-vjetorin e ditës së ri-unifikimit të Gjermanisë, shpreh mirënjohjen tonë për mbështetjen e gjatë të shtetit gjerman, përgjatë gjithë rrugëtimit tonë për shpëtim-çlirim, rindërtim, pavarësi, shtetndërtim, dhe së fundmi për mbështetjen vendimtare në mbrojtjen e integritetit tonë territorial dhe kushtetues”, ka shkruar Haradinaj-Stublla.

Ajo ka thënë se rënia e Murit të Berlinit dhe finalizimi i negociatave për bashkimin e Gjermanisë patën një ndikim të madh në të gjitha lëvizjet demokratike në Evropë, e në veçanti në Ballkanin Perëndimor

Ngjarja historike që bashkoi kombin gjerman në 3 tetor 1990, solli shpresat e ndryshimit, paqes dhe demokracisë për të gjitha kombet në botë. Rënia e Murit të Berlinit dhe finalizimi i negociatave për bashkimin e Gjermanisë patën një ndikim të madh në të gjitha lëvizjet demokratike në Evropë, e në veçanti në Ballkanin Perëndimor, në kërkimin e lirisë prej komunizmit dhe shtypjes sistematike, dhe krijimin e shoqërive demokratike dhe të lira”, ka thënë ajo.

Kryediplomatja kosovare i ka dërguar letër homologut të saj gjerman, Maas, ku ka shprehur përkushtimin e plotë për intensifikimin e bashkëpunimit dypalësh.

Në letrën dërguar sot homologut gjerman Maas, shpreha përkushtimin tim të plotë për të intensifikuar edhe më tej bashkëpunimin dhe marrëdhëniet tona dypalëshe, në forcimin e lidhjeve gjithnjë e më të ngushta të partneritetit dhe miqësisë së përhershme mes Kosovës e Gjermanisë”, është shprehur Haradinaj-Stublla.