75 Mall Live Search
12:35 / E Hënë, 05 Tetor 2020 / indeksADMonline

Apple dërgonte pajisjet për ta shkatërruar, kompania e riciklimit i rishiste

Apple paditi në gjykatë një kompani kanadeze që e akuzon se kishte rishitur 100 mijë iPhone, iPad dhe Apple Watch. Padia e dërguar që prej janarit shkoi në drejtim të firmës së riciklimit GEEP.

GEEP-ja është kontraktuar nga Apple më 2014 për të shkatërruar produktet dhe përdorur materialet e tyre për riciklim.

Mungesën e pajisjeve Apple e vuri re gjatë një auditi që i bëri magazinës që pajisjet po dërgoheshin në pjesë të ndërtesës që nuk mbuloheshin nga kamera CCTV. Më pas bëri një kontroll të numrave serialë të pajisjeve dërguar te GEEP-ja dhe gjeti se 18% ende ishin aktivë në rrjete celulare.

Apple në padi thotë se i kishte kërkuar kompanisë për të shkatërruar 530 mijë iPhone, 25 mijë iPad dhe 19 mijë e dyqind Apple Watch gjatë periudhës 2015-2017.

Gjigandi i iPhone thotë se jo të gjitha pajisjet janë të lidhura në rrjete celulare dhe shifra e pajisjeve të rishitura mund të jetë shumë më e lartë.

Apple kërkon nga GEEP-ja 31 milionë dollarë së bashku me çdo qindarkë që ka fituar nga rishitja.

Nga ana tjetër GEEP-ja e pranoi se kishte rishitur pajisjet, por fajin ua lë tre punonjësve, të cilët kishin mashtruar kompaninë. Në momentin që kishte zbuluar mashtrimin, tre punonjësit kishin dhënë dorëheqjet dhe GEEP-ja thotë se nuk ka fituar asgjë nga pajisjet e rishitura./ PCWorld Albanian