Trumpi del nga spitali, bën një rikthim dramatik, në Shtëpinë e Bardhë

Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka bërë një rikthim dramatik, në Shtëpinë e Bardhë, ku edhe do ta vazhdojë trajtimin për koronavirusin, pas tri netëve të kaluara në Spitalin Ushtarak.
Trumpi e hoqi maskën derisa ishte në ballkonin e Shtëpisë së Bardhë, ku disa nga ndihmësit e tij dhe pjesëtarë të tjerë të stafit kanë rezultuar pozitivë ditëve të fundit.


“Po ndihem shumë mirë. Mos u frikësoni nga COVIDI-19. Mos e lejoni që t’jua dominojë jetën”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në Twitter, transmeton Klan Kosova.
Çfarë ndodhi gjatë kthimit të Donald Trumpi, në Shtëpinë e Bardhë?
Duke iu thënë amerikanëve që të mos kenë frikë nga koronavirusi në një cicërimë në Twitter përpara se të largohej nga spitali të hënën në mbrëmje, Trumpi tha se ndihet më mirë sesa që është ndierë para 20 vjetësh.
“Do të kthehem së shpejti në fushatë”, tha gjithashtu ai.
Infektimi i Trumpit me COVID-19 e ka pezulluar fushatën e tij për një mandat të dytë në krye të SHBA-së, kur ka mbetur më pak se një muaj përpara se presidenti republikan të përballet me kandidatin e demokratëve Joe Biden në zgjedhjet presidenciale.
I veshur me kostum, kravatë dhe me maskë në fytyrë, Trumpi është larguar nga spitali ushtarak “Walter Reed” që ndodhet në periferi të Washington DC-së.
“Falemnderit të gjithëve!”, ka thënë ai, duke injoruar pyetjet e gazetarëve, përfshirë edhe një gazetar që e pyeti “A jeni ju një superpërhapës i virusit, z.President?”.


Pas një udhëtimi të shkurtër me helikopter, Trump u fotografua i vetëm në Ballkonin Truman të Shtëpisë së Bardhë. Ai e hoqi maskën nga fytyra, para se të bënte një përshëndetje të stilit ushtarak.
Disa orë më vonë, ai postoi në Twitter një video – të stilit të kampanjës – të kthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë.
Numri një i SHBA-së e ka regjistruar një videomesazh për amerikanët të cilët i nxit që të kthehen në punë.
“Ju do ta mundni atë [koronavirusin]. Ne kemi pajisjet më të mira mjekësore, ne kemi ilaçet më të mira – të gjitha të zhvilluara së fundmi”.
“Ne duhet të jemi në ballë. Si lideri juaj, duhej ta bëja këtë. E dija se ka rrezik, por duhej ta bëja. Unë i qëndrova përpara dhe udhëhoqa”, ka thënë ai.
Trumpi gjithashtu tha “Tani jam më mirë, ndoshta jam imun. Nuk e di”.
Ai gjithashtu ka premtuar se “vaksinat po vijnë menjëherë”, edhe pse Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve në SHBA, ka thënë se asnjë vaksinë nuk pritet të jetë në dispozicion deri në mesin e vitit të ardhshëm.