75 Mall Live Search
13:14 / E Martë, 06 Tetor 2020 / indeksADMonline

Bordi drejtues i SHSKUK-së, vlerëson se Inspektorati i Punës s’e ka vlerësuar gjendjen faktike për rastin e Basri Sejdiut

Ish-drejtori i SHSKUK-së, Basri Sejdiu dje njoftoi se ka pranuar vendimin e shkallës së dytë të Inspektoratit të Punës, që hodhi poshtë si tëpabazuar ankesën e Bordit drejtues të SHSKUK-së, të bërë ndaj vendimit të shkallës së parë të Inspektoratit të Punës, vendim i cili e ka anuluar vendimin e Bordit drejtues të SHSKUK-së, për shkarkimin e tij nga pozita e drejtorit.

Pas kësaj përmes një njoftimi për shtypin, ka reaguar Bordi drejtues i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovë.

Ata njoftuan se kanë pranuar vendimin me numër 7389, të 05.10.2020, nga   Inspektorati i Punës, përmes së cilit njoftohet se është refuzuar ankesa e Bordit drejtues, për pezullim të vendimit të shkallës së parë të Inspektoratit të Punës, lidhur me shkarkimin e dr. Basri Sejdiu nga pozita  e drejtorit të përgjithshëm  të SHSKUK-së.

“Bordi drejtues i SHSKUK-së, konsideron se Inspektorati i Punës nuk e ka vlerësuar gjendjen faktike në mënyrë adekuate lidhur në këtë çështje, po ashtu, ka vepruar jashtë kompetencave të përcaktuara me Ligjin nr. 06/L-144  për zyrtarët publikë, si rrjedhojë do të procedojë këtë rast tek  institucionet kompetente,  konform dispozitave ligjore”, u tha nga Bordi drejtues.

Sejdiu dje gjithashtu shtoi se vendimi i shkallës së dytë kërkon kthimin e menjëhershëm të tij në pozitën e drejtori të përgjithshëm të SHSKUK-së./Indeksonline/