Pamje gjatë aksionit të ATK-së dhe Doganës në mobishope të Prishtinës

Administrata Tatimore e Kosovës në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, sot është duke zhvilluar aksion në Prishtinë te disa subjekte, nga sektori që veprimtari kanë shitjen dhe servisimin e telefonave mobilë të njohur ndryshe edhe si mobishope.
Aksioni ka nisur në orët e para të mëngjesit të sotëm, ndërsa po vazhdon gjatë ditës.

Indeksonline sjell pamje nga disa mobishope në qendër të Prishtinës ku po kryhen edhe kontrolle të rrepta.

Sipas një komunikate nga ATK-ja, qëllimi këtij aksioni është parandalimi dhe luftimi i ekonomisë jo formale në këtë sektor, i cili është vlerësuar paraprakisht se ka rrisk të lartë të informalitetit.

Ndryshe, ATK-ja të gjitha aktivitetet e saj për luftimin dhe parandalimin e ekonomisë jo formale i ka në harmoni me Strategjinë kombëtare të Republikës së Kosovës për parandalimin dhe luftimin e ekonomisë jo formale, pastrimin e parave, financimin e terrorizmit dhe krimeve financiare 2019-2023, si dhe bazuar në Planin operativ të ATK-së, analizën e riskut dhe Departamentin e Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës.
