75 Mall Live Search
14:23 / E Martë, 06 Tetor 2020 / indeksADMonline

Kryesuesi i Komisionit qeveritar për persona të zhdukur, priti në një takim shefin e misionit të EULEX-it

Kryesuesi i Komisionit qeveritar për persona të zhdukur, Ramë Manaj, i shoqëruar edhe nga kryetari i delegacionit të Kosovës për bisedime me Serbinë për çështjen e personave të zhdukur, Ibrahim Makolli dhe udhëheqësi i njësisë së komisionit, Kushtrim Gara,  priti në një takim shefin e EULEX-it , Lars – Gunnar Wigermark, i shoqëruar edhe nga zyrtarët e EULEX-it, Daniele Pancheri dhe Melinda Bytyçi.

Gjatë takimit, krahas diskutimit dhe vlerësimit të bashkëpunimit të deritashëm, u diskutua edhe për mundësitë e bashkëpunimit të mëtejmë, si dhe për regjistrin qendror të personave të zhdukur dhe bashkëpunimin me Serbinë në lidhje me çështjen e personave të pagjetur.  

Kryesuesi i komisionit, krahas vlerësimit dhe shprehjes së mirënjohjes për bashkëpunimin dhe angazhimin e deritanishëm në procesin e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur, shprehi  gatishmërinë edhe për vazhdim të bashkëpunimit të mëtejmë në përpjekjen për zbulimin e fatit të personave të pagjetur.

Shefi i EULEX-it, z. Wigermark, po ashtu shprehi gatishmërinë që me gjithë ndryshimet në mandatin e EULEX-it, do të vazhdohet me përkrahjen dhe bashkëpunimin e mëtejmë me Komisionin qeveritar për persona të zhdukur.