75 Mall Live Search
16:49 / E Mërkurë, 07 Tetor 2020 / indeksADMonline

Në Maqedoninë Veriore katër të vdekur dhe 317 raste të reja me COVID-19, shqyrtohen masat kufizuese

Autoritetet Shëndetësore të Republikës së Maqedonisë Veriore kanë njoftuar se janë shënuar 317 raste të reja, 4 viktima dhe 104 persona të shëruar gjatë në 24 orët e fundit.

Sipas tyre ky bilanc paraqet numrin më të madh të pacientëve me koronavirus që nga fillimi i pandemisë. Në Shkup janë regjistruar 182 raste, në Koçan 18, në Shtip 13 dhe në Kumanovë, Strumicë dhe Gjevgjeli nga 12 raste. Gostivari ka regjistruar 11 raste të reja ndërsa qytetet tjera nën 10 të infektuar. Indeksi i të infektuarve në raport me numrin e testeve sot shënon 16 për qind, duke regjistruar probabilitetin më të madh në 10 ditët e fundit.

Sot më shumë të shëruar janë regjistruar në Shkup, Prilep dhe Kumanovë. Pas Shkupit i cili ka 1166 raste aktive, qytetet me numrin më të madh të rasteve aktive janë Strumica, Koçani, Tetova dhe Kumanova ndërsa në qytetet tjera ka nën 100 raste aktive.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe mbrëmë ka njoftuar se ka rritje të bilancit ditëve të fundit dhe se vendi është futur në fazën e pritur të virusit në vjeshtë. Sipas tij, në këtë situatë masat kufizuese janë mese të nevojshme. Filipçe ka shtuar se kufizimet dhe masat janë mjeti i vetëm për t’u mbrojtur nga pandemia, duke i bërë thirrje qytetarëve t’i respektojnë masat dhe të evitojnë lëvizjet e panevojshme.