Holanda ende s’ka vendosur për konferencën ndërqeveritare Shqipëri-BE

Qeveria holandeze ka reaguar zyrtarisht pas lajmit të përhapur në disa media shqiptare, sipas të cilit, Parlamenti vendas kërkon ndarjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare duke thënë se Holanda do të vendos në nëntor. Lajmi i përhapur në disa media shqiptare citon ministrin e Jashtëm, Stef Blok duke deklaruar se do të kërkojë ndarjen e dy vendeve me arsyetimin se Shkupi ishte gati për konferencën e parë, ndërsa Tirana jo.
“Parlamenti holandez diskutoi shkurtimisht një letër që ministri i Jashtëm, Blok i pati dërguar Parlamentit në datë 4 shtator. Letra i referohej draftit të kuadrit të negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, shpërndarë nga Komisioni Europian në datën 1 korrik dhe që së fundmi po diskutohet në Bruksel”, thuhet në reagimin zyrtar të Holandës, të publikuar nga Ambasada holandeze në Tiranë.
Në të njëjtën deklaratë sqarohet se vendimmarrja i takon Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme në Parlamentin holandez, që këtë temë do ta diskutojë në muajin nëntor.
“Si zakonisht, qeveria holandeze do t’i dërgojë një vlerësim të kësaj pakete Parlamentit në javët në vijim. Kjo do të vijohet nga një debat sipas procedurave parlamentare. Do të jetë takimi i Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme në nëntor ku do të diskutohet paketa e zgjerimit”, thuhet në deklaratë./shqiptarja/