75 Mall Live Search
13:12 / E Martë, 13 Tetor 2020 / indeksADMonline

Kryeministri i Polonisë – në karantinë

Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki, njoftoi se është futur në karantinë të detyrueshme, pasi ka pasur kontakte me një person që ka dalë pozitiv në testin për koronavirusin.

Në një videomesazh të postuar në mediat sociale të martën, Morawiecki tha se ka pasur kontakt me personin e infektuar të premten.

Qeveria vazhdon të funksionojë normalisht dhe mbledhja e ardhshme e saj do të mbahet përmes videokonferencës, një prakikë kjo e zakonshme në muajt e fundit, tha Morawiecki.

Ai po ashtu u bëri thirrje qytetarëve polakë që t’i respektojnë masat për luftimin e koronavirusit, duke i dezinfektuar duart, duke mbajtur distancën sociale dhe duke veshur maska.

Zëdhënësi i Qeverisë polake, Piotr Mueller, tha përmes një deklarate se kryeministri Morawiecki nuk është diagnostikuar me sëmundjen që e shkakton koronavirusi, COVID-19, dhe se nuk ka simptoma të saj.

Karantina e detyrueshme në Poloni zgjat 10 ditë për ata që nuk shfaqin simptoma të sëmundjes COVID-19.

Polonia ka regjistruar rritje të mprehtë të numrit të rasteve pozitive me koronavirusin, në javët e fundit.

Të martën u raportuan mbi 5.000 raste të reja, të cilat e çojnë në mbi 135.000 numrin e përgjithshëm të tyre në këtë vend.

Mbi 3.100 vetë kanë vdekur në Poloni nga COVIDI-19, prejse ka nisur pandemia globale në muajin mars.