“Vendparkimi nëntokësor” në Prishtinë, përfundon pas 18 muajsh (Foto)

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, të martën ka shpalosur projektin për ndërtimin e vendparkimit nëntokësor në hapësirën e Universitetit të Prishtinës, për të cilin tashmë kanë filluar punimet.
Kryetari Ahmeti, ka theksuar se ky projekt do të ofrojë 700 vendparkime, ndërsa mbi sipërfaqe do të ketë 13 mijë e 990 metra katrorë hapësirë gjelbëruese, ndërkaq ka thënë se ky projekt që është publiko-privat është paraparë që të përfundojë në fund të vitit të ardhshëm.

“Ne besojmë se me projektet që i kemi përfshirë unazën goxha shumë do ta lotohet qarkullimi në qendër të qytetit, megjithatë problem nuk është vetëm mungesa e vendparkime, por edhe numri i automjeteve që hynë nga vendet e tjera është jashtëzakonisht i madh për të përballuar. Pra ne gradualisht po fillojmë që disa rrugë të qendrës me i mbyll, mendoj se është mirë, mendoj se është e shëndetshme, sepse kur po vjen periudha e dimrit, ne po ankohemi për ndotje, e dimë që një pjesë e ndotjes po na vjen nga makinat. Ne me këtë po mundohemi të ofrojë një zgjidhje për qendrën e qytetit, për të ofruar vende në vedparkime, por në asnjë mënyrë të mos konsiderohen si vendparkime shtesë. Thjesht ideja jonë është që pasi do të vazhdojmë me mbylljen e sheshit deri te katedralja, ta zgjerojmë hapësirën e vendparkimit apo gjelbërimin te Fakulteti Filologjik, të ndërtojmë një hapësirë ku und të hymë në vendparkime”, ka thënë ai.

Ndër të tjera, ai ka shtuar se pas finalizimit të vendparkimit nëntokësor, ato mbi trotuare në atë pjesë nuk do të lejohen.

Derisa ka bërë të ditur se e tërë kjo zvarritje e fillimit të punimeve ka ndodhur me qëllim që të gjithë drunjtë që gjendën në atë hapësirë, të ruhen dhe të zhvendosen.

“Me idenë që po krijomë vendparkime në qendër, por vendparkimet mbi tokë në atë hapësirë më nuk do të lejohen. Pra jo edhe një vendparkim nëntokësor e mandej edhe ato në trotuare, por vendparkim nëntokësor dhe pastaj hapësira që është qendër e qytetit e lirë për qytetarët dhe pa ngarkesë të makinave. Po flasim për një projekt përafërsisht 700 vende të parkimeve, të cilat mendoj që janë të mjaftueshme…Ajo që dua të them është se një pjesë të zvarritjes, dorën në zemër e kam shkaktuar unë, për shkak të kërkesës që e kam pasur prej kompanisë fituese që të mundohemi që çdo dru që gjendet aty të ruhet dhe të zhvendoset”, ka thënë ai.






