Ministri i sportit në Itali: Ronaldo ka shkelur protokollin!

Kanë nisur polemikat rreth Cristiano Ronaldos, i cili të martën rezultoi pozitiv për COVID-19 sa ishte me kombëtaren e Portugalisë.
35-vjeçari vendosi të kthehej në Itali gjatë ditës së djeshme me një aeroplan privat, i dedikuar vetëm për të. Krejt këtë e bëri për të qenë sa më shpejt i gatshëm për Juventusin.
Mirëpo, kjo po duket se i ka hapur telashe. Minsitri i Sportit në Itali, Vincenzo Spadafora në një intervistë ka deklaruar se Ronaldo ka shkelur protokollin e koronavirusit.
”Ai ka shkelur protokollin nëse nuk ka pasur autorizime specifike nga autoriteti shëndetësor”, tha shkurt Spadafora për Rai Radio1.
Ronaldo do të qëndrojë së paku 10 ditë në izolim, por problemi është se ai ka lëvizur nga Portugalia në Itali duke qenë i infektuar me COVID-19, anipse u prit në aeroport nga një ambulancë e dedikuar për këto raste.
Se çfarë do të vendoset ndaj tij, ende nuk dihet.