Arrestohet i dyshuari që vrau me thikë para një muaji Senad Gogun në Pejë

I dyshuari që ishte në kërkim për vrasjen me thikë të një personi në muajin shtator në Pejë, është arrestuar sot nga Policia e Kosovës.
Rastin për arrestimin e këtij të dyshuari e ka konfirmuar prokurorja e rastit Valbona Disha-Haxhosaj.
Sipas prokurores Disha-Haxhosaj, personi i arrestuar me inicialet A.B, dyshohet se ka vrarë me thikë Senad Gogun.
“Sot është arrestuar një person i dyshuar, me incialet A.B nga Peja, i dyshuar për veprën penale ‘vrasje e rëndë’ ndaj viktimës Senad Gogu. Vrasja ka ndodhur më 05.09.2020. Arrestimi i tij është bërë në bashkëpunim me hetimet rajonale në Pejë. Pra, pas një punë operative që kemi bërë, kemi arritur ta identifikojmë dhe arrestojmë të dyshuarin”, ka thënë prokurorja.
Ajo ka thënë se ende nuk dihet motivi i rastit.