Gazetarit kosovar ia qëllojnë veturën me 6 plumba, thotë se rasti lidhet me punën

Redaktori i portalit “Reporteri”, Shkumbin Kajtazi, mbrëmë është përballur me një sulm të rrezikshëm, ku vetura e tij u qëllua me rreth 6 plumba, që sipas tij rasti lidhet me punën që bën.
Ai përmes një postimi në Facebook ka sqaruar tërë rastin, ku thotë se ngjarja ka ndodhur rreth mesnatës, kur vetura ishte e parkuar në qendër të Mitrovicës, shkruan Indeksonline.
Kajtazi rastin e ka lajmëruar në Polici, ku thotë që së shpejti rastin do ta marrin në dorë hetuesit e krimeve të rënda.
Njoftimi i plotë:
Miq,
Mbrëmë u përballa me një sulm të rrezikshëm: vetura ime u qëllua me 5 ose 6 plumba.
Ngjarja ka ndodhur rreth mesnatës, kur vetura ishte e parkuar në qendër të Mitrovicës.
Unë isha afër dhe kam dëgjuar krisma arme, por si njeri naiv që beson se Kosova është vend normal, nuk e kam lejuar mendjen të më thotë se mund të jetë sulm i tillë. Isha gabim.
Kur u afrova tek vendi ku e kisha parkuar, pashë se vetura ishte dëmtuar në masë të madhe. Në fillim pata bindjen se ishte goditur me diçka të fortë, mirëpo më pas u vërejten gjithandej vrima dhe predha të plumbave: në ulësen e shoferit, në tavan e në pjesën e prapme.
Edhe në Polici deklarova se rasti lidhet me punën, pasi problem personal me dikë nuk kam pasur që nga shkolla e mesme.
Rasti është në Polici dhe shpejt do ta marrin në dorë hetuesit e krimeve të rënda. Zbardhja e tij duhet të bëhet shpejt, ose rrezikon të mbetet zhag si i mëparshmi.
Nuk ndihem i frikësuar, që është qëllim i personave që më vihen pas. Jam thjesht i dëshpëruar me shtetin tim dhe njerëzit e tij.