Apeli vendos për Haki Rugovën, ia ndalon t’i afrohet dëshmitarit në rastin e tij

Gjykata e Apelit ka vendosur lidhur më ankesat e avokateve mbrojtës, kundër caktimit të masës së arrestit shtëpiak ndaj të pandehurve, kryetarit të Istogut, Haki Rugova dhe ish- nënkryetarit të kësaj komune Lulzim Blakaj, transmeton IndeksOnline.
Aktvendimi i Gjykatës Themelore në Pejë, i 11 tetorit 2020, është ndryshuar. Të të pandehurve u është caktuar masa e ndalimit për t’iu afruar vendit, apo personit të caktuar.
Konkretisht atyre u është ndaluar që t’i afrohen një dëshmitari, në distancë më të afërt se 100 metra, e po ashtu u është ndalur çdo komunikim më të, në kohëzgjatje prej një muaji. Më këtë aktvendim të të pandehurve u bëhet me dije se në rast se e shkelin këtë masë, gjykata mund të urdhërojë paraburgimin.
Gjykata e Apelit vlerësoi se edhe më këtë masë mund të arrihet qëllimi për të cilin është caktuar masa e arrestit shtëpiak, prandaj edhe vendosi konform dispozitave të nenit 177 par. 1, nën par.1.2 dhe 1.3 të Kodit të Procedurës Penale.
Gjykata konsideron se nisur nga pesha e veprave penale, mënyra, rrethanat dhe koha në të cilën dyshohen të jenë kryer ato, masa e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit, është masë e mjaftueshme, për të zvogëluar rrezikun që të të pandehurit të ndikojnë në prova ose dëshmitarë, apo edhe të kryejnë ndonjë vepër tjetër penale.
H.R. po dyshohet nga prokuroria për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Konflikt i interesit” , “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe vepër penale “Falsifikim i dokumentit zyrtar” .
Ndërsa L.B. për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Falsifikim i dokumentit zyrtar.” Të gjitha këto të dënueshme sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës./IndeksOnline/