Dhunohet murali në Luginë, ku falënderohej Kosova dhe Shqipëria

Zëvendëskryetari i Komunës së Bujanocit, Shqiprim Musliu, përmes një postimi të bërë në rrjetin social Facebook, ka njoftuar për dëmtimin e një murali, të punuar nga një artist shqiptar nga Lugina e Preshevës.
Ai thotë se ky mural ishte krijuar si shenjë falënderimi për institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë, për mbështetjen që i kanë dhënë shkollave shqipe në Luginë.
Ky është postimi i Musliut:
Sot jemi informuar se një ngjarje dhe provokim i rëndë ka ndodhur me institucionet shkollore në Bujanoc, ku dikush ka dëmtuar muralin e krijuar nga një artist shqiptar nga Lugina e Preshevës.
Ky mural është krijuar për të falëmnderuar institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë për mbështetjen që i kanë dhënë shkollave shqipe në Luginën e Preshevës për furnizimin me tekste mësimore në gjuhën shqipe.
Në cilësinë e nënkryetarit të Bujanocit, dënoj ashpër këtë akt të dëmtimit të muralit, që shpreh falëmnderime për ndihmën që iu është dhënë nxënësve shqiptarë.
Po ashtu, kërkoj që të hetohet nga organet e ndjekjes se kush janë dhunuesit e këtij murali, njëherit edhe provokues të situatës, e të cilët kanë provukuar rëndë shqiptarët e Luginës së Preshevës, duke prekur në institucione shkollore, çka është e pa pranueshme për ne.
