75 Mall Live Search
12:25 / E Martë, 27 Tetor 2020 / OSH

U shpërndahen 5 gjedhe fermerëve të Gjilanit, për përmirësim racor

Drejtoria e Bujqësisë e Gjilanit ka shpërndarë të martën pesë krerë gjedhe për fermerët, që janë donacion i shkollës së agrobiznesit “Arbëria”.

Drejtori i Bujqësisë komunale, Ramiz Ramadani, ka thënë se këto gjedhe i dedikohen përmirësimit racor dhe në asnjë mënyrë nuk lejohet shitja, therrja apo tjeterërsimi i tyre.

“Ky është kontigjenti i tretë, që po e shpërndajmë sot gjedhe. Pra, 15 ekonomi bujqësore e kanë mundësinë e përmirësimit racor. Industria e mishit në Gjilan, përkatësisht “Malësia” e “Calabria” si dhe industria e qumështit “Kabi”, i japin mundësi të pakufizueshme zhvillimit të këtij sektori. Ne si drejtori po bëjmë përpjekje që ta mbështesim këtë sektor, qoftë përmes realizimit të pragrameve në partneritet me shkollën “Arbëria” dhe programeve të tjera”, ka thënë Ramadani.

Drejtori i shkollës së agriobiznesit “Arbëria”, Xhelal Jetishi, ka thënë se ky donacion i sotëm është edhe një vlerë e shtuar e kësaj shkolle.

“Ne kemi hyrë në listën e donatorëve te Drejtoria e Bujqësisë. Brenda 2 vjetëve kemi arritur që t’i shpërndajmë 15 krerë gjedhe për përmirësim racor, pasi për këtë racë ka nevojë Gjilani e Anamorava”, ka thënë Jetishi.

Ramadani e Jetishi e kanë falënderuar në fund kreun e Gjilanit, Lutfi Haziri, për mbështetjen e madhe të ofruar për realizimin e suksesshëm të këtyre veprimtarive.