75 Mall Live Search
12:22 / E Enjte, 29 Tetor 2020 / OSH

​Hapet konkursi për pranimin e studentëve, në konvikte

Qendra e Studentëve (QS) në Prishtinë ka hapur konkurs për pranimin e studentëve në konvikte dhe për ushqim në mensë.

QS-ja ka njoftuar për konkursin e pranimit për vitin akademik 2020-2021.

Nga Qendra e Studentëve kanë bërë të ditur mënyrën e aplikimit për pranim.

Njoftimi i plotë i Qendrës së Studentëve

Për pranimin e studentëve në konvikte dhe ushqim në mensën e tyre për vitin akademik 2020-2021.

Duke u bazuar në raportin e vlerësimit dhe rekomandimet e IKSHPK-së me nr. 724, i 15.10.2020 për Qendrën e Studentëve në Prishtinë lidhur me pranimin-vendosjen e studentëve në konvikte në kohën e pandemisë Covid-19 kërkohet që të respektohen kriteret bazë :

• vendosja vetëm nga një student në një dhomë të konvikteve,

• respektimi i të gjitha masave antiCovid të lëshuara nga IKSHPK-ja, MSH-ja dhe institucionet e tjera relevante.

Aplikimi bëhët përmes sistemit ONLINE. Linku për aplikim është i publikuar në web faqen zyrtare të QS-së https://qs.uni-pr.edu/... dhe në profilin zyrtar në facebook Qendra e Studenteve-Prishtine. Udhëzuesi për aplikim gjendet në linkun e shfaqur.

Në konviktet dhe mensën e QS-së pranohen studentët e rregullt të studimeve themelore, komuna e të cilëve është 25 km e më larg nga Prishtina.

Kriteret për pranim dhe pikët e mundshme:

1. Studentët nga fakultetet: Mjekësi, Teknik dhe Shkencave Matematike-Natyrore me notë mesatare 9.00 dhe me largësi 25 km e më shumë nga Prishtina, pranohen në konvikte pavarësisht totalit të pikëve që fitojnë.

2. Studentët nga fakultetet e tjera me notë mesatare 9.5 dhe me largësi 25 km e më shumë nga Prishtina pranohen në konvikte, pavarësisht numrit të pikëve të tubuara.

3. Studentët për notë mesatare fitojnë (varësisht nga nota mesatare)…..….5 – 15 pikë

4. Largësia nga Komuna e Prishtinës…………….…………………………2 – 10 pikë

5. Studentët jashtë territorit të republikës për largësi marrin….………..……..15 pikë

Studentët me status të vaçantë për pikë shtesë sipas kategorive:

1. student (fëmijë) i dëshmorit ——————————————10 pikë

2. student (fëmijë) i prindit invalid të luftës —————————5 pikë

3. student, prindi i të cilit është veteran i luftës ————————4 pikë

4. student i të pagjeturit —————————————————5 pikë

5. student invalid civil i luftës ——————————————-5 pikë

6. student i prindit martir nga lufta ————————————–4 pikë

7. student me aftësi të kufizuara —————————————–6 pikë

8. student i të burgosurit, politik ———————————–4 pikë

9. student me asistencë sociale ——————————————3 pikë

10.dy e më shumë studentë nga një familje aplikantë në QS duhet të ngarkojnë

letërnjoftimin e njëri-tjetrit. ……………………………………….3 pikë

Të gjithë studentët e këtyre kategorive, të cilët përfitojnë pikë shtesë duhet që përmes sistemit ONLINE të ngarkojnë dokumentacionin e kërkuar.

• Studentët prindërit e të cilëve u përkasin kategorive të dala nga lufta e UÇK-së vërtetimet, certifikatat duhet t’i marrin në zyrën [ndërtesën] e Qeverisë [ZKM-ZVL]

• Shoqata e të Burgosurve Politikë, zyra qëndrore Prishtinë

• Shoqata e Personave me Aftësi të Kufizuara – “Handikos”, zyra qëndrore Prishtinë.

. Student i prindit martir nga lufta dhe student i të pagjeturit, vendimi i MPMS-së dhe certifikata e bashkësisë familjare.

Sqarim: Njoftojmë studentët se pikët e fituara nga nota mesatare dhe nga largësia llogaritën në mënyrë automatike nga SEMS-i, ndërsa studentëve nën asistencën sociale pikët u llogaritën përmes sistemit online. Andaj nuk është e nevojshme që këto dokumente të ngarkohen gjatë aplikimit.

•Konkursi mbetet i hapur deri më 07.11.2020, nga dita e shpalljes.

Studentët që kanë shkelur rregulloret në fuqi në Qendrën e Studentëve nuk do të pranohen në konvikte.

• Në konvikte do të pranohen studentët me numrin më të madh të pikëve të fituara.

Publikimi i rezultateve bëhet më 16.11.2020 në tabelat e konvikteve dhe faqet zyrtare të QSP-së.

• Afati për ushtrimin e ankesave ONLINE është 17 – 18 nëntor 2020.

• Publikimi i rezultateve të ankesave bëhet më 20.11.2020.

Drejtoria e Qendrës së Studentëve, Prishtinë