Policia e Kosovës i paralajmëron shoferët të kenë kujdes nga mjegulla, është rrezik!

Policia e Kosovës ka bërë thirrje publike për të gjithë drejtuesit e mjeteve në Kosovë duke konstatuar se tashmë ka filluar prezenca e mjegullës në vendet ku pozita gjeografike është më e ulët.
“Mos harroni se ngasja në mjegull është e rrezikshme! Mbani në vëzhgim rrugën për ndryshime të papritura të dukshmërisë, mjegulla më e dendur mund të jetë më afër lumenjve:, thuhet në thirrjen e policisë
Policia ka këshilluar drejtuesit e mjeteve që të përdorin dritat e mjegullës, sepse nëse automjeti juaj i ka këto drita kjo ju ndihmon të ndriçohet rruga para jush dhe këto drita e bëjnë automjetin tuaj më të dukshëm për shoferët e tjerë. Disa automjete kanë edhe dritat e pasme të mjegullës të cilat ndihmojnë shoferët që lëvizin mbrapa t’ju shohin juve edhe nga një distancë më e madhe.
“Mjegulla mund të krijojë një iluzion optik dhe t’i bëjë shoferët të mendojnë se po shkojnë më ngadalë seç janë. Mbani vëmendjen, mos shpejtoni!”, thuhet në thirrjen e Policisë së Kosovës.
Ata kanë këshilluar që të ndizen dritat gjatë ngasjes, por mos të ndizen dritat me rreze të gjatë. Sipas tyre ngasja e automjetit me drita të gjata mund të reflektojë jashtë mjegullës dhe mund të kthehet në automjetin tuaj, e cila gjithashtu e bën të pamundur që shoferët e tjerë t’ju shohin.
Mbani ndezur dritat e shkurtra dhe të mjegullës!
Mbani nën kontroll shpejtësinë e lëvizjes!
Mbani krahun e djathtë të rrugës gjatë lëvizjes