Afro 6 orë bastisje e intervistim në shtëpinë e Jakup Krasniqit

Hetuesit e Zyrës së Prokurorit të Specializuar vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpinë e Jakup Krasniqit, që nga ora 05:30 e mëngjesit.
IndeksOnline mëson nga familjarët e Krasniqit, se sapo është kryer bastisja në katin e parë, për të vazhduar tutje edhe në katet e tjera të shtëpisë.

Ndërkohë në fshatin Negroc, ende nuk ka nisur asnjë bastisje, ani pse shtëpia e Krasniqit është e rrethuar nga pjesëtarët e EULEX-it.
Ndryshe, gjatë ditës së sotme pritet transferimi i Jakup Krasniqit për në Hagë. Kështu ka bërë të ditur, avokati mbrojtës Valon Hasani, i cili ka njoftuar se aktakuza është konfirmuar.
Sipas njoftimit, operacionet e ZPS-së po kryhen me mbështetjen e Policisë së Kosovës dhe Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).

IndeksOnline ndodhet në të dy lokacionet dhe do t’iu mbajë të informuar për të gjitha zhvillimet./IndeksOnline/
