Nisma: Kjo që kemi parë sot e panevojshme, askush nuk mund ta njëllosë veprën dhe jetën e Jakup Krasniqit

Nisma Socialdemokrate ka mbajtur një konferencë për media, pas bastisjes në shtëpinë e Jakup Krasniqit nga ana e hetuesve të Eulex-it.
“Ne të gjithë e njohim figurën e z.Jakup Krasniqi, kjo që kemi parë sot është e panevojshme, z.Krasniqi të gjithë jetën ja ka kushtuar drejtësisë. Siç e dini, z.Krasniqi çdo herë ju ka përgjigjë ftesave të organerve të drejtësisë, jo vetëm z.Krasniqi por të gjithë pjesëtarët e UÇK-së. Prandaj, skenat që po i shohim janë të panevojshme, por gjithësesi dramatike për familjen”, ka thënë Bilall Sherifi, transmeton IndeksOnline.
Tutje ai tha se besojnë në luftën e drejtë të Jakup Krasniqit, për liri e pavarësi.
“Ne kemi besuar dhe besojmë në luftën e drejt për liri e drejtësi të z.Krasniqi dhe askush dhe asgjë nuk mund ta njëllosë veprën dhe jetën e tij. UÇK ishte arritja më e madhe për një shqiptar, askush dhe asgjë nuk mund ta njëllosë luftën e UÇK-së”, vlerësoi tutje ai.
“Duhet të them këtu që Kosova ka zhvilluar luftë të drejtë, institucionet tona duhet të jenë në nivel të përgjegjësive të veta, në funksion të luftës së drejt të popullit të Kosovës. Ju ka ra hise të kenë mbështetjen e shtetit të Kosovës, që edhe këtë betejë tanimë në sallat e gjyqit ta bëjnë bashkë”, shtoi ai.