75 Mall Live Search
13:24 / E Enjte, 05 Nëntor 2020 / OSH

Jahjaga: Të qëndrojmë të bashkuar dhe të besojmë në drejtësi

Ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka reaguar pas aktakuzave të konfirmuara nga Gjykata Speciale ndaj kreëve të UÇK-së, shkruan IndeksOnline.

Ajo ka thënë se askush nuk mund të përdhos luftën e Kosovës për liri e pavarësi.

Jahjaga ftoi liderët që të qëndrojnë të bashkuar, të kenë durim dhe besim në drejtësi.

Postimi:

“Me vëmendje jam duke ndjekur zhvillimet e fundit në lidhje me Dhomat e Specializuara në Hagë. Është e rëndësishme të rikujtojmë se: Askush nuk mund të përdhos luftën e Kosovës për liri e pavarësi! Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë për liri dhe çlirim nga okupimi i Serbisë ushtria e së cilës, atëkohë, po kryente vrasje masive, spastrim etnik, dhunime, e tortura ndaj civilëve shqiptarë të Kosovës. Në këtë kohë të zymtë është e rëndësishme të qëndrojmë të bashkuar, të kemi durim dhe besim në drejtësi!

Të gjitha vendet e rajonit që kanë qenë në luftë mes vete duhet të ballafaqohen me të kaluarën. Kosova ka shprehur gatishmëri për këtë ballafaqim dhe i është përgjigjur gjithmonë thirrjes së drejtësisë”, ka shkruar ndër të tjeta Jahjaga në Facebook.