Gastronomët: Nuk do të ketë kafe për Qeverinë e Kosovës

Pas njoftimit të masave të reja për parandalimin e transmetimit të koronavirusit nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar Shoqata e Gastronomëve të Kosovës (SHGK përmes një postimi në faqen e saj në Facebook
SHGK-ja ka thënë se kundërshton masat e reja, si edhe ka kërkuar nga Qeveria që ta miratojë një Paketë ekonomike për gastronomi në vlerë prej 10 milionë eurosh.

“Ne si Shoqatë e Gastronomëve të Kosovës, kërkojmë që URGJENTISHT, që Qeveria të dalë me qëndrim zyrtar, lidhur me kërkesat kryesore të sektorit të gastronomisë, për një Paketë ekonomike për gastronomi, në vlerë së paku prej 10 milionë eurosh”, thuhet në postim.
Shoqata e Gastronëmëve ka prezantuar edhe mënyrën e projektimit të kësaj pakete.
“1. Subvencionimi i shpenzimeve operative deri në përfundimin e pandemisë (mbulimet e qirasë, pagat e punëtorëve);
2. Shtyrje të afatit të kësteve të kredive dhe kthimit të mbitërheqjeve deri në përfundimin e pandemisë;
3. Pagesa direkte për bizneset e gastronomisë, sipas vlerësimit të situatës;
4. Lejimi i shërbimeve me porosi (delivery) pas orës 19:00, edhe në komunat me rrezikshmëri të lartë”, thuhet më tej.
Ata, në rast se nuk plotësohen këto kërkesa përbrenda shtatë ditëve, kanë paralajmëruar për reagime të ashpra
Po ashtu në shenjë proteste ndaj vendimeve të Qeverisë, ata kanë hartuar edhe një baner, ku kanë futur krejt kabinetin qeveritar, duke i shpallur persona “non grata”, dhe se nuk do të ketë kafe për Qeverinë.